Humbja e madhe nga Qeveria e paaftë

23 maj 2024 | 11:00

Hasan Mujaj

U konsultuan me partnerët e jashtëm, por jo edhe me kryetaren e shtetit që është obligim kushtetues. Shpërpjesëtim karagjoz!

Qesëndi e paparë në historinë e diplomacisë. Veprim sa filistin, aq edhe frapant. Diletantizëm politik e komik. Këta pesë përcaktorë të stilit emëror mjaftojnë të dëshmojnë për ta vlerësuar dhe kualifikuar veprimtarinë impulsive e miopike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës si flamurtare e dështimit diplomatik dhe politik të shtetit.

Letra shterpë e ministres D. Gërvalla dhe koha e dërgimit të saj kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë tregues faktikë të mosbashkërendimit të tri institucioneve më të larta të shtetit madje për çështjet me rëndësi të veçantë për integrimin e anëtarësimin e Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Këta tregues apolitikë i dhanë të drejtë BE-së të reagojë: “S’mund ta vlerësojmë draftin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin pa e ditur përmbajtjen.” Arsyetimi i ministres se dërgimi i letrës u bë në konsultim me partnerët tanë nuk qëndron në këmbë. Jo. Ai u rrëzua pikërisht nga disa partnerë si: Berlini, Parisi, Roma etj. U konsultuan me partnerët e jashtëm, por jo edhe me kryetaren e shtetit që ëshë obligim kushtetues. Shpërpjesëtim karagjoz!

Sipas Kushtetutës së Kosovës, kryetarja e shtetit (kryetari i shtetit) ka disa kompetenca kushtetuese të zhvillimit dhe të vrojtimit të politikës së jashtme. Sipas njoftimit të Presidencës, nuk ka pasur konsultim me kryetaren Vjosa Osmani rreth dërgimit të letrës nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në këtë rast del në dritë edhe shkelja e Kushtetutës për të cilën (shkelje) ka përgjegjësi ligjore ashtu sikundër dëshmohet edhe mosbashkëpunimi Qeveri-Presidencë madje për çështjet me interes parësor për shetin.

Vonesa e letrës!

Për kohën e dërgimit të letrës, për vonesën e saj, me shumë arsye ndërhyri edhe

Gerald Knausi: “Kosova nuk do të jetë në agjendën e Këshillit të Evropës, letra erdhi vonë.” Mund të shtrohet pyetja: përse nuk u dërgua letra më herët. Dikush duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë gabim, i cili jo vetëm që solli mosanëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por hapi rrugën e vërshimeve të mëdha kritike edhe nga shtetet mirëdashëse të Kosovës.

Faktori kohë shpeshherë i ka humbur ose i ka fituar betejat! Por, kështu ndodh, si vonesa e letrës, kur në postet më të larta të shtetit vihen njerëzit pa asnjë ditë përvojë pune!

Ministrja Gërvalla vuri në dukje se ka pritur vendim pozitiv nga shtetet anëtare, por “nuk u mor parasysh.” Konstatim shumë i papërkorë vëzhguar nga këndkundrimi i historisë së diplomacisë dhe i politikës ndërkombëtare. Diplomacia do studim e hulumtim veprimi dhe jo të nivelit të letrës; qe veprim tejet i papjekur nga performanca dhe kompetenca madje kompremetues për institucionet drejtuese të shtetit.

Qeveria humbi besimin e parterëve

Letra e ministres, siç u vlerësua edhe nga disa liderë evropianë, shërbeu vetëm si shtysë injorimi, izolimi e sanksionimi refuzues. Kështu p. sh. ish- drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin  Evropian, Pierre Mirel, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndër të tjera, tha: “ Kosova nuk është në gjendje të dorëzojë një projekt, pra jo tekstin përfundimtar, por një projekt në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk është pozitive. Kështu humb besimi i partnerëve!” Aksiomë. Këtë besim vërtet e humbi Qeveria e Kosovës!

Por, duhet të mbahet parasysh se nuk është detyrë e lehtë të jesh ministre e (ministër i) Punëve të Jashtme. Assesi. Për pranimin e posteve të këtij niveli duhet të shërbejë si udhërrëfim edhe kriteri i Sokratit: “Njihe veten! ” Nuk ka aq shumë faj zonja Gërvalla; faji i madh qëndron tek ai që i emëron ministrat. Veprimi në vështrim dhe jo vetëm ky, por edhe shumë veprime të tjera të këtilla mund të arsyetohen dhe të vërtetohen nga një mendim metaforik i filozofit të shquar, i prof. të disa universiteteve amerikane, prof. dr. Arshi Pipa:

“Qysh mund të dali e bukur nji shtatore kur dalta asht e paprehun.” Semantika e këtij citati është shumë e qartë dhe nuk ka mbëhi për zbërthim kuptimi. Ky citat është porosi shumë domethënëse dhe me vlerë të përhershme, sidomos për pozitat e larta shtetërore.

Këtë kuptim e përforcon dhe e vërteton edhe filozofi amerikan, i dalë nga shkolla pragmatike e Çikagos, Xhon Pirsi kur bën fjalë për diplomacinë dhe kishte shkruar:

“Diplomacia është art: me njëqind fjalë nuk mund të thuhet çka thuhet me një fjalë.”

Andaj, kërkohet vëmendje e posaçme përkitazi me emërimin e ministreve dhe ministrave ngase prej zotësisë së veprimeve të tyre varen sukseset e ministrive dhe të qeverisjes ose e kundërta: ministritë e paafta sjellin dështimin e qeverisjes sikundër ndodhi në ratin e mosanëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës!

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna është pritur…