
Hungaria mbështetë Dodikun
“Vendimi i banorëve vendës duhet të respektohet. Njerëzit në entitetin serb në Republika Sërpska kanë vendosur që lideri i tyre të jetë Milorad Dodik, të gjithë janë të detyruar ta respektojnë këtë”, tha sot në Banjallukë ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto, raporton agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadoly”, shkruan “AlJazeera”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, ai tha: “Të vësh në dyshim vendimin e një populli është diçka krejtësisht antidemokratike në botë. Është shumë e vështirë për mua të imagjinoj një situatë kur një person mund të flasë kundër vendimit të një populli”.
Ai theksoi se janë të gatshëm të mbështesin presidentin e RS, Milorad Dodik.
“Ne e mbështesim dhe qëndroj pranë tij për shkak të juve, për shkak të serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, sepse ju vendosët që ai të jetë presidenti juaj. Mendoj se është shumë e thjeshtë”, tha Szijjarto.
Eurodeputetët e dënuan Dodikun
Kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, raportuesi i përhershëm për Bosnje-Hercegovinën, Paulo Rangel dhe kryetari i delegacionit të përhershëm për marrëdhëniet me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, Romeo Franz, të mërkurën dënuan ashpër kërcënimin ndaj rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës dhe kërkuan vendosjen e menjëhershme të sanksioneve ndaj përgjegjësve.
Në një deklaratë të përbashkët, ata reaguan ndaj krizës në BeH të shkaktuar nga përpjekjet e autoriteteve të Republika Sërpska, të udhëhequra nga Milorad Dodik, për të minuar Gjykatën Kushtetuese të vendit dhe autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë Schmidt, duke e përshkruar atë si një provokim për të cilin BE-ja duhet të reagojë menjëherë sepse ka të bëjë edhe me reputacionin dhe besueshmërinë e saj.
SHBA dhe BE me Schmidtin
Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu mbështetjen e tij për punën e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.
“SHBA-ja mbështet përdorimin e kompetencave të Bonit nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë [OHR] për të mbështetur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës. Individët që veprojnë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në Twitter.
Vendimi i Schimdtit për të anuluar ligjet e miratuara së fundmi nga Asambleja Kombëtare e entitetit Republika Sërpska në BeH u mirëprit gjithashtu nga ambasada e SHBA-së në Sarajevë.
Ambasada theksoi se vendimet e Kuvendit të RS-së për miratimin e ligjit për mosekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës dhe ndryshimet në ligjin për publikimin e ligjeve dhe rregulloreve të tjera të RS ishin antikushtetuese dhe një sulm i qëllimshëm ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, rendit kushtetues të Bosnje-Hercegovinës dhe shtetit të Bosnje-Hercegovinës.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë thekson se ligjet e miratuara nga Kuvendi i RS-së paraqesin sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës.
Lidhur me vendimet e Christian Schmidt, ata kujtojnë se pushtetet e Bonit janë masa e fundit kundër veprimeve të paligjshme të pariparueshme.
“Bashkimi Evropian”, shton deklarata, “shpreh keqardhjen që ishte e pashmangshme që Përfaqësuesi i Lartë të vepronte për të shfuqizuar këto ligje”.