Hyrja e emigrantëve nga Turqia në BE ka shënuar rritje

17 janar 2020 | 16:30

Numri i emigrantëve nga Turqia që hyjnë në Evropë është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, ka thënë të premten kreu i agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian (FRONTEX), Fabrice Leggeri.

“Në vitin 2019 më shumë se 82.000 emigrantë u përpoqën të hyjnë pa autorizim në Evropë, një rritje prej 46% krahasuar me një vit më parë”, ka thënë Leggeri.

Kjo rritje, sipas tij, ishte pasojë kryesisht për shkak të situatës në Siri, por edhe paqëndrueshmërisë në Afganistan dhe ndryshimit të politikave ndaj shtetasve afganë nga ana e autoriteteve iraniane dhe pakistaneze.

Emigrantët nga Turqia kryesisht hyjnë në territorin e Greqisë, vend ky anëtar i Bashkimit Evropian (BE).

Leggeri nuk ka pranuar t’i fajësojë rojet bregdetare turke, duke thënë se ata po “punojnë mirë” në kapjen e emigrantëve që largohen nga Turqia.

BE-ja ishte pajtuar në vitin 2016 t’i jepte Turqisë deri në 6 miliardë euro për të përballuar fluksin e sirianëve, si dhe për të bindur qeverinë në Ankara të ndalë emigrantët që nisen për në Greqi.

Por, që nga vera e vitit 2019, ishujt lindorë të Greqisë janë përballur me mbipopullim të kampeve të refugjatëve.

Frontex ka theksuar se vitin e kaluar, numri i emigrantëve ishte më i larti, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes BE-Turqi.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se vendi i tij nuk mund të marrë përsipër i vetëm barrën e pritjes së 3.6 milionë refugjatëve sirianë dhe në të kaluarën ka kërcënuar se do të “hap portat” për emigrantët që të shkojnë drejt Evropës.

Ai është duke kërkuar më shumë para dhe evropianët ka gjasa të pranojnë ndarjen e mjeteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm edhe për…