
Hysaj: Barcelonë, gati edhe për ju
Elseid Hysaj shënoi një ditë më parë dhe ky është lajm. I pari gol në Serinë A, me një lojtar që nën drejtimin e Gennaro Gattuso, ka gjetur hapësirë dhe po e ndihmon skuadrën edhe në krahun e majtë. E ardhmja e tij ka qenë gjithmonë një temë diskutimi dhe mbetet ende, kur dihet se verën e ardhshme i përfundon kontrata. Gjithsesi është koha ta shijojë golin dhe Hysaj pas ndeshjes kundër Sassuolos ka deklaruar: “Jam shumë i lumtur për këtë gol të realizuar, edhe pse më vjen keq që po luajmë pa tifozë. Gëzohem prej golit dhe shpresoj të shënoj të tjerë në të ardhmen. Ky gol shkon për bashkëshorten dhe familjen time”.
Napoli pësoi katër herë, por më ndërhyri dhe Sassuolo nuk iu gëzua dot një goli të vetëm. Takimi i radhës është kundër Barcelonës dhe shkalla e vështirësisë do të jetë më e madhe në atë takim. “Ishin katër gola të pësuar, por fatmirësisht ka VAR. Gjithsesi ne duhet të jemi të kujdesshëm. Sassuolo është një skuadër në formë dhe që luan një futboll të bukur, edhe pse kundër Barcelonës ndryshon cilësia e futbollistëve. Pavarësisht gjithçkaje, ne do të jemi gati për ndeshjen e Champions League”, shtoi Hysaj, një nga më të vlerësuarit për ndeshjen kundër Sassuolo.
Në fund dy fjalë edhe për të ardhmen e tij, shumë të diskutuar: “Jam mirë në Napoli, në fushë dhe jashtë saj. Nuk di asgjë në lidhje me të ardhmen. Do të flasim me klubin në fund të sezonit, pasi për momentin ka ndeshje të rëndësishme përpara dhe duhet të fokusohemi aty”.