Hysaj: Janë dy finale të mëdha për ne

14 nëntor 2023 | 16:39

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll do të zhvillojë brenda shtatë ditësh dy sfidat “finale”, siç i quan edhe tekniku Sylvinho, të fazës kualifikuese të Kampionatit Evropian “Euro 2024”, ndaj Moldavisë, më 17 nëntor, në Çisinau dhe ndaj Ishujve Faroe, me datë 20 nëntor, në mitikun “Air Albania”, ku vetëm 1 pikë, nga këto 2 sfida, mjafton që kuqezinjtë të prenë një biletë drejt Gjermanisë, aty ku do të zhvillohet faza finale e kompeticionit.

Nga konferenca për shtyp disa fjalë për këto dy përballje i ka thënë edhe anësori i mbrojtjes së Kombëtares, Elseid Hysaj, i cili ka deklaruar se skuadra vlerëson maksimalisht kundërshtarët dhe do ta kërkojë maksimumin në të dy ndeshjet, për t’u dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive.

“Janë dy finale shumë të mëdha për ne, por duhet të mendojmë për Moldavinë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe kundërshtari po kalon një formë shumë të mirë. Ne e dimë mirë që do të shkojmë atje për të mos humbur, pasi edhe një pikë na nevojitet për t’u kualifikuar, por do të ishte edhe më bukur po të fitonim dhe ta arrinim rekordin e pikëve”, ka thënë Hysaj, i cili më pas është pyetur se a ngjan kjo ndeshje me atë ndaj Armenisë në 2015-n.

“Kanë lidhje, por si ndeshje duket më e thjeshtë, pasi na duhet vetëm një pikë në dy takime. Është një ndeshje me peshë pasi, nëse fitojmë, do të kthehemi të kualifikuar dhe të bëjmë festë. Nëse humbim, do të na shtohet shumë presioni. Jemi të përgatitur për të shkuar dhe fituar, pasi duam të kthehemi të gëzuar dhe të festojmë me tifozët”.

Hysaj është një nga futbollistët kuqezi që e ka përjetuar kualifikimin në Evropianin e vitit 2016. “Është një ndjesi e bukur, që nuk mund ta harrosh dhe shpresoj ta shijojnë edhe çunat e tjerë, por ta përsërisim unë e Berisha apo ndonjë tjetër”, ka shtuar Hysaj. Më pas mbrojtësi që aktivizohet te Lazio i ka bërë edhe një vlerësim Kombëtares së Moldavisë.

“Është një skuadër që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Rri mbrapa dhe del shpejt në kundërsulm për golin. Ne e kemi përgatitur kështu, që t’i shfrytëzojmë mundësitë tona dhe të gjejmë golin”, ka deklaruar Hysaj, i cili ka këmbëngulur se këtyre kualifikuesve do t’u japë notë vetëm pasi të këtë përfunduar edicioni eliminator.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Anglisë do të jetë pa mesfushorin Jude Bellingham…