Hysen Gega – veprimtar, i burgosur politik dhe luftëtar me armë në dorë

05 gusht 2023 | 13:38

Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci

                                                          1.

Para rreth 3.000 vitesh, Homeri shkruante: “Vazhdo me shpirtin që nuk ka frikë prej asgjëje!”

Shqiptarët këtë tip të njeriut e kanë vlerësuar mbi gjithçka. Dija pa guximin e aksionit është një mall pa vlerë të madhe shoqërore. Kohëve që u ka munguar kjo specie e njeriut me shpirt guximtar në jetën tonë publike, kanë qenë kohë të errëta për ne. E para gjë që bën një pushtues i egër është uzurpimi i sferës publike, spastrimi i pameshirshem i saj nga çdo njeri me vlerë për bashkësinë dhe popullimi i sferës publike me maskarenj, d.m.th. zhvlerësimi i saj politik. Tërheqja e përgjithshme e  njerëzve në jetën private   është shenja e parë e kataklizmës kombëtare. Një popull pa jetë publike është një popull pa jetë, d.m.th. një popull i vdekur. Shqiptarët e dinin se çdo të thoshte humbja e zërit të tyre në publik. Shpesh lufta për rikthimin e sferës publike është keqkuptuar si prirje e flijimit për një këngë. Në fakt kënga ishte një përpjekje për ta ringjallur atë që tashmë kishte vdekur. Jo çdo këngë që është kënduar, ka mbijetuar. Kënga, thuhet, është vaji i burrit, për t’u bërë pasuri e përgjithshme e shpirtit të masës ajo duhej të kishte disa përbërës në vetëvete, elementë që përfaqësonin shqetësimet dhe brengat e popullit, të tilla që i linin njerëzit pa gjumë. Ato i çonin ata në aksione që në shikim të parë nuk kuptoheshin nga një pjesë e shqiptarëve, sidomos nga ajo pjesë që duronte gjithçka, çdo poshtërim e përbuzje. Ky publik abstrakt gjithmonë e ka lidhur lirinë me arsyen,  çdo veprim a vepër në shërbim të bashkësisë është dashur të jetë e domosdoshme, dmth. e arsyeshme. Vetëm akte të tilla që përfaqësonin vullnetin e përgjithshëm hynin në këngë ose më saktë mbijetonin në kujtesën kolektive shqiptare përmes saj. Ekziston një varg i gjatë emrash të shqiptarëve që mund të quhen homerikë në sensin e fjalisë në krye të këtij shkrimi që e ka formuluar babai i  letërsisë botërore. Në këtë galeri qëndrestarësh e luftëtarësh sypatrembur   rradhitet pa asnjë dyshim edhe heroi i këtij shkrimi, atdhetari Hysen Gegaj (1950-2021).

Në gazetën ilegale “Lajmëtari i lirisë“ në numrin e parë të saj për vitin 1981, në faqen ballore, në artikullin me titullin “Kështu na, uron’ UDB-ja Vitin e Ri“, Jusuf Gërvalla i bën jehonë mediale në rrethet atdhetare burgosjes së Hysen Gegajt, vetëm dy tre muaj para shpërthimit të ngjarjeve që njihen si Pranvera e Madhe Shqiptare e vitit 1981. Njeriu që përpara kishte vetëm edhe një vit jetë shkruan me zemrën që i pikon gjak për shokun dhe mikun e burgosur: “Hysen Gegaj nga Sallagrazhda e Suharekës ishte punëtor i mirë e shumë i dashur me shokët e vet, gjithnjë i gatshëm t‘i ndihmojë pa kursim të tjerët. Edhe ai, me një gëzim të madh u nis për në vendlindje, ku arriti natën e Vitit të Ri“ dhe u arrestua. Në kohën kur u vra autori i këtij shkrimi në “Lajmëtari i lirisë“,  Hysen Gegaj ishte në Burgun e Prizrenit. Pikëllimi pas lajmit për vrasjen e Jusuf e Bardhodh Gërvallës dhe Kadri Zekës që e mori Hyseni në Burgun e Prizrenit e tronditi shumë të burgosurin më të njohur të asaj kohe. Adem Demaçit i ishte bashkëngjitur në burg edhe një atdhetar në moshë të re, kurse Jusuf Gërvallës i iku një shok i besës dhe i aksionit. Burgu, sidomos pjesa e hetimeve , ishte pa dyshim një  sprovë e madhe për këdo, por, megjithatë, njeriu ishte gjallë, ndonëse në pranga, shkurt ai nuk mund të krahasohej me vrasjen e tre atdhetarëve në Untergruppenbach.

                                             2.

Në rininë e tij të hershme, pas përfundimit të semimaturës- në qytetin e tij nuk kishte ende një shkollë të mesme në gjuhën shqipe,- Hysen Gegaj filloi të interesohej më intenzivisht për çështjen shqiptare, origjinën dhe realitetin e saj. Fëmijëria me rrëfimet e saj kishte kaluar, kishte ardhur koha e burrnimit të tij, koha e krijimit të botëkuptimit personal. Hysne Gegaj u përballë si një i rritur me realitetin e kohës dhe e kuptoi që  Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi ishin toka shqiptare të pushtuara në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ky djalosh inteligjent që duhej të ishte në klasat e shkollës, të gjimnazit u detyrua të merrte rrugën e vështirë të mërgimit. Stacioni i tij i parë ishte Beogradi ku shqiptarët e përbuzur kryenin punët më të rënda fizike. Nëse e kujtojmë  poezinë e Esad Mekulit “Sharrëxhiu“ e kemi të qartë atmosferën që ofronte për shqiptarët kryeqendra politike e Jugosllavisë, përkatësisht e Serbisë. “Xhepat e sharrëxhiut janë shumë të ngushta për duart e ënjtura të tij”. Ah, Beligradi, ishte pshertimë e shpeshtë që dilte nga thellësia e zemrës së shqiptarëve zemërplasur. Në këto rrethana njeriu ose thyhej shpirtërisht, ose ndryshonte tërësisht në shpirtin e tij të revoltuar. Vetëdija për shtypjen kombëtare zgjohej dhe kristalizihej sidomos kur si mërgimtar kaloje një hap më tutje, në botën gjermane, ku për shqiptarët mbizotëronte një opinion e disponim i kundërt me atë në Beograd. Nga ky kontrast shumë shqiptarë e kanë shkelmuar frymën fataliste që e mbillnin te shqiptarët institucionet politike të pushtuesit dhe institucionet fetare që besohej se ishin të pavarura nga Beligradi.

                                                                      3.

Hysen Gegaj i kishte vëzhguar për shumë vite me vëmendje të madhe zhvillimet shoqërore në atdhe dhe kishte nxjerrë përfundimin se koha ishte për veprim. Kjo vetëdije e revoltës  dhe e bindjes se organizimi politik ishte i domosdoshëm e çoi atë drejt organizimit politik kundër shtetit jugosllav. Në këtë moshë rinore, plotë energji e përkushtim u fut në qarqet e veprimit ilegal. Në moshën e pjekurisë, si 30 vjeçar, në natën e Vitit të Ri 1981 ai arrestohet dhe dënohet me 12 vite burg.

Me dënimet drakonike, regjimi jugosllav synonte të frikësonte shqiptarët, para së gjithash të rinjët me potencial të madh rebelimi. Në  vitin 1990, Hysen Gegaj doli nga  burgu. 40 vjeçar, në kulmin e pjekurisë politike, ai ishte  më i vendosur se kurrë më parë për të vazhduar misionin e tij ardhetar, të cilin e kishte filluar me Jusuf Gërvallën, tashmë të vrarë nga UDB -ja me 17 janar 1982. Në një anë, shokët e vrarë në Untergrupenbach, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në anën tjetër, vitet e gjata në kazamatet serbe, Hysen Gegaj e kishin bërë një njeri të pamposhtur. Trimërisë së tij i ishte shtuar përvoja dhe dijet teorike  nga librat. Përafërisht në këtë moshë Gjergj Kastrioti- Skenderbeu qe kthyer në Krujë për lavdinë e kombit të tij e të Shqipërisë. Hysen Gegaj ishte brumosur me idetë e Rilindjes Kombëtare. Siç porosit Fan Stilian Noli, një shqiptar i mirë në rrethana  të vështira duhet të pyes gjithmonë veten: Si do të vepronte në këtë situatë Skenderbeu? Ka sigurisht shumë shqiptarë që kurrë nuk ia kanë shtruar e nuk ia shtrojnë as sot vetes këtë pyetje. Hysen Gegaj ishte krejt i ndryshëm nga këta vdekatarë të rëndomtë. Ai jetonte për kombin dhe vendin e tij, kështu që në monologun e brendshëm pyetja kishte këtë trajtë logjike: ç’kam bërë sot për atdheun? Presidenti amerikan John F. Kennedy në fjalimin e tij inaugural pati thënë: “Dhe kështu, bashkëkombësit e mi amerikanë: mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj. Bashkëqytetarët e mi të botës: mos pyesni se çfarë do të bëjë Amerika për ju, por çfarë mund të bëjmë së bashku për lirinë e njeriut.”

(And so, my fellow Americans: ask not what your country can do for you — ask what you can do for your country.

My fellow citizens of the world: ask not what America will do for you, but what together we can do for the freedom of man.)

Hysen Gegaj ishte i bindur që në krye të herës se pa luftë të armatosur çlirimi ynë kombëtar nga Serbia nuk ishte i mundshëm. Këtë bindje ia forcuan edhe më shumë vitet e gjata të burgut dhe, sidomos, vitet 1990 të rezistencës paqësore, të cilat shtetruan çdo mundësi tjetër të veprimit me mjete politike. Kryengritja e  armatosur kishte mbetur ultima ratio. Në këtë rast politika e çlirimit do të shërbehej me armët në shërbim të popullit që nëpërkëmbej. Pa ndihmën nga jashtë lufta jonë çlirimtare nuk do të kishte pasur kurrë sukses, kjo është një e vërtetë e padiskutueshme po aq sa edhe e vërteta tjetër se liria nuk do të na servirej si dhuratë   nga jashtë. Gjergj Kastrioti kur u kthye në Krujë nuk tha kot: „Lirinë e gjeta në mesin tuaj.“ Pa një popull që ishte i gatshëm për çdo flijim, betejat e tij fitimtare nuk do të kishin zgjatur një çerekshekulli të plotë. Ai mori ndihma nga jashtë, por kurrë sa kishte nevojë. Pesë shekuj më vonë popullit të tij do t‘i jepet ndihma që nuk iu kishte dhënë atij. Kështu, në vitet 1998 e 1999, Hysen Gegajn e gjejmë në rradhët e UÇK-së. Ai e quante me fat veten që e kishte pritur këtë ditë, për të luftuar  në fushëbetejë për  idealin e tij.

                                                               4.

Pushtimi është gjendje jonormale, fund e krye e panatyrshme për çdo popull. Pesë shekujt e sundimit osman e kishin bërë shqiptarin jashtëzakonisht të ndjeshëm për fatin  e tij politik. Një pushtim që zgjat shumë e tjetërson të pushtuarin, përfshirë këtu edhe vetëdijen e tij për lirinë, sepse e keqja fillon të duket si një fat i pashmangshëm.  Dozat e fatalitetit rriten në psikologjinë e masës kur pas pushtimit të vjetër vjen një tjetër, edhe më i egër. Realiteti historik në vitin 1913 ishte tej mase dëshpërues. Romani „Viti i mbrapshtë“ nuk është shkruar rastësisht nga një shkrimtar shqiptar. Ndaj dhe çdo shoqëri ka nevojë për njerëz të guximshëm, që nuk kanë frikë prej asgjëje, për njerëz të profilit shpirtëror e politik të Hysen Gegajt.

Pushtim do të thotë të jetosh pajada në rrethana të pasigurisë totale, pa asnjë të drejtë, pa perspektivë dhe pothuajse pa asnjë mundësi zhvillimi. Në shoqëri të tilla pa liri lejohet vetëm ekzistenca biologjike. Çdo gjë që shkon përtej saj, është e dyshimtë, luftohet nga shteti titullar me vendosmëri. Për shqiptarët, në sytë e pushtuesve serbë, edhe ekzistenca e thjeshtë biologjike konsiderohej njëfarë luksi. Sot ende në rajon   kandohen nëpër demonstrata parulla „Vdekje shqiptarëve“. Vdekja e shqiptarëve jo vetëm dëshirohet fshehtas nga instancat më të larta politike, por  për më tepër punohet shumë për t’ua bërë të pamundshme jetën shqiptarëve, për t’i nxitur ata të ikin nga vendi i tyre i lindjes. Këtë gjë e konstatojmë sot, nëse duam të jemi të sinqert me vetëveten. Dje, ishte krejt ndryshe: shqiptarët përballë rrezikut real të shfarosjes etnike ishin krejt të pambrojtur. Ata i ekspozoheshin rrezikut ekzistencial në vazhdimësi.  Serbia në realizimin e programeve të saja shtetërore për zhdukjen e shqiptarëve praktikonte në publik  një politikë hipokrite. Ajo thoshte diçka tjetër dhe bënte të kundërtën e asaj që e thoshte. Deri edhe frazeologjia e Mirjana Marković-it ishte plotë mesazhe paqësore e respekti për shqiptarët. Në shtetet pasardhëse të Jugosllavisë së Titos në këtë pikë sinqeriteti është më i madh: tani qarqe të caktuara politike mobilizojnë simpatizantët e tyre përmes racizmit të hapur kundërshqiptar. Ajo që ndodh sot në rajon dëshmon se paragjykimet etnike kundërshqiptare janë të ngulitura thellë në vetëdijen e popujve fqinj.  Politika të tilla të mosdurimit e të urrejtjes iracionale  mbi bazën e etnisë kanë si rrjedhojë zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Këto provokime të vazhdueshme e nixisin imunitetin tonë kombëtar. Kështu kishte qenë edhe në kohën liberalizmit jugosllav. Vetëm me guxim  mund të ndryshohej gjendja e keqe në të cilën ndodheshim. Hysen Gega ishte një shqiptar i tillë që nuk kishte frikë prej asgjëje dhe që besonte në ndryshimin përmes veprimit të organizuar. Me këtë formim shpirtëror dhe profil psikologjik, ai u ofrua me qarqet atdhetare në Gjermani ku punonte si punëtor i përkohshëm në botën e jashtme, siç quheshin atëherë, në vitet 1970 e 1980, mërgimtarët tanë ekonomikë. Siç e shohim dhe nga një  film dokumentar që ka bërë televizioni „Dielli“ për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Hysen Gegajt, ai mërgimin e filloi nga Beogradi ku shkoi për të punuar në moshë shumë të re. Pastaj shkoi në Austri dhe më vonë në Gjermani. Hysen Gegaj ishte i vetëdijshëm se ky migrim nuk ishte vetëm ekonomik. Rrënjët politike të tij ai i gjurmonte në jetë dhe në libra, para së gjithash në ato që botoheshin në Tiranë.  Njeriu sheh jashtë atë që ka brenda tij, në zemër. Të gjitha faktet flisnin për një emigracion ekonomik me motivacion politik. Kosova trajtohej nga shteti jugosllav si një koloni e mirëfilltë.  „Shtëpia e varfër“ e Europës e quanin mediat gjermane. Varfëria në Kosovën e pasur ishte prodhim i politikës kundërshqiptare të Beogradit. „Trepça punon, Beogradi ndërtohet“ ishte njëra nga parullat kryesore në demonstratat e vitit 1981. Sociologu Ibrahim Berisha ka botuar shumë vite më parë një libër të rëndësishëm me titullin „Vdekja e kolonisë“ ku i bëhet një analizë e thellë politikave kolonialiste të Serbisë  që nga viti 1918 e deri në fund të viteve 1990 kur dhuna dhe terrori serb arriti kulmet e tij.

                                                           5.

Hysen Gega e kaloi një pjesë të madhe të jetës në mërgim dhe, një pjesë tjetër, më pas, në burg. Mërgimi dhe burgu kishin lënë në qenien e tij gjurma të pashlyeshme. Në këto kohë një njeri që mendonte e vepronte shqiptarisht ose ikte nga vendlindja e tij, ose përfundonte në burg. Alternativa të tjera për njeriun e lirë në këtë vend nuk ekzistonin. Shteti me strukturat e tij prodhonin ose mërgimtarë, ose të burgosurë politikë, sidomos pas pranverës së vrullshme të vitit 1981. Në fakt, represioni në hapësirën shqiptare  qe rritur në mënyrë dramatike qysh nga fundi i  viteve 1970. Historiani gjerman Franz Bësch ka botuar librin „Pika e kthesës: 1979 koha kur filloi bota e sotme“ ( Frank Bësch „Zeitenwende: 1979 Als die Welt von heute began“). Ishte kjo kohë kur shqiptarët i ishin bashkëngjitur botës që po ndryshonte. Pikërisht në këtë kohë Hysen Gega ishte në veprim politik jashtë sistemit jugosllav, do me thënë kundër tij. Jugosllavia për Hysen Gegën ishte dhe mbeti, deri në fundin e saj, një shtet pushtues, agresiv.

                                                                6.

Jugosllavia e Titos në vazhdimësi i kishte gjurmuar mundësitë e shpërnguljes masive të shqiptarëve. Për të gjithmonë kishte pasur shumë shqiptarë, më shumë sesa i duheshin asaj. Doktrinat politike që parashikonin zhdukjen e shqiptarëve si popull, jo vetëm që nuk ishin dënuar asnjëherë, por, për më tepër, ato ishin shumë të popullarizuara ndër serbë, malazezë e maqedonas. Në këtë shikim  Jugosllavia komuniste  nuk ndryshonte pothuajse asgjë nga Jugosllavia mbretërore. Madje mund të thuhet se  shteti i Titos kishte qenë më efektiv sesa ai i kralit, sepse ai  dëboi shumë më tepër shqiptarë nga vendlindja e tyre. Në vitet 1940, 1950 e 1951 Turqia ishte vendi që i shërbente Jugosllavisë për shkarkimin e „tepricës shqiptare“, kështu trajtohej në praktikë pakica shqiptare në Jugosllavi. Nuk ishte kurrëfarë fshehtësie se Serbia dhe përmes saj Jugosllavia ishte e interesuar për territoret shqiptare, jo për shqiptarët. Ata, ajo i trajtonte si tepricë që duhej zhvendosur diku, kudoqoftë.  Sa më pak shqiptarë në viset shqiptare, aq më mirë për Beogradin. Ky ishte fundamenti i politikës jugosllave në këtë kohë, në fakt në të gjitha kohët e ekzistencës së shtetit jugosllav. Ai kurrë nuk u pajtua me faktin se shqiptarët e kishin të drejtën e ekzistencës si të gjitha kombet e tjera  në Ballkan. Që nga krijimi i shtetit serb në shekullin XIX, Beogradi punoi me të gjitha mundësitë e tij institucionale për asgjësimin gjeopolitik të shqiptarëve. Në Beograd ishte krijuar bindja se ekzistenca e shqiptarëve si bashkësi politike përbënte rrezik ekzistencial për shtetin serb, kështu që ky rrezik duhej eleminuar përmes metodash radikale. Kjo bindje ekziston atje edhe në ditët e sotme.

                                                                       7.

Në vitet 1970 e 1980 shqiptarët si forcë e punës shpërnguleshin drejt Perëndimit, veçse kjo shpërngulje ishte si cilësi krejt diçka tjetër në krahasim me shpërnguljet në Turqi. Në Perëndim shkonin punëtorët, por pa familjen e tyre dhe me mundësinë e pakufizuar të kthimit  në atdhe. Pa kontributin financiar të kësaj mërgate, Kosova dhe viset e tjera shqiptare do të kishin mbetur shumë mbrapa ekonomikisht, politikisht e kulturalisht. Kosova e viteve 1950-1970 dhe ajo e viteve 1980-1990 ndryshonin  jashtëzakonisht shumë mes veti. Politikat kundërshqiptare vepronin edhe më tej në gjithë hapësirën etnike shqiptare në Jugosllavi dhe i ngadalësonin proceset zhvillimore në çdo sferë, madje i bllokonin ato në mënyrë demonstrative për t’i dekurajuar shqiptarët, por trendin e përgjithshëm të zhvillimit shoqëror nuk mund ta ndryshonin qëkur këto vise shqiptare ishin lidhur me Perëndimin përmes emigracionit të tyre. Kjo mërgatë nuk dërgonte vetëm para në shtëpi. Ndikimi i saj ishte edhe kulturor dhe, sidomos, politik. Njerëz si Hysen Gegaj nuk vegjetonin, nuk jetonin në iluzione, por punonin ilegalisht në ndërtimin e mekanizmave  alternativë politikë çlirimtarë. Jugosllavia nuk ishte pranuar kurrë si shtet i shqiptarëve, por vetëm si pushtues i tyre, pushtues  jashtëzakonisht i egër e i paparashikueshëm në djallëzitë e tij. Jugosllavia synonte shkatërrimin e bllokut shqiptar që përbënte një njësi kompakte në viset shqiptare, të cilat Konferenca Ndërkombëtare e Londrës e vitit 1913 ia la mbretërive serbe e malazeze në dispozicion, siç thoshte ministri i jashtëm anglez, në funksion të paqes në Europë. Flijoheshin shqiptarët kinse për rehatinë e pjesës tjetër të Europës, por lufta botërore shpërtheu edhe përkundër kompromiseve në funksion të ruajtjes së paqes.

Hysen Gegaj ishte një udhëheqës i natyshëm. Ai udhëhiqte duke qëndruar bashkë me ata që e ndiqnin shembullin e tij në jetë, jo duke u vënë në ballë të tyre me zhurmë e bujë. Nuk i pëlqente atij aspak krekosja si udhëheqës politikë, as në kohën kur veproi në diasporë apo qëndroi në burg dhe as më pas, në luftë në rolin e komandantit. Nobelisti francez Albert Kamy thotë: „mos ec para meje se ndoshta nuk do të të ndjekë. Mos ecë pas meje, ndoshta nuk dua të të udhëheq. Thjesh ec për krah meje dhe ji miku im.“ Kush ka punuar e luftuar me Hysen Gegajn , pajtohet plotësisht me mendimet e nobelistit francez dhe ka bindjen se një ekzemplar i kësaj filozofie kishte qenë pikërisht ai.

                                                                     8.

Hysen Gegaj, në moshë të re u vu në shërbim të atdheut, nga bindja, pa asnjë rezervë. Ai gjithë paratë që i fitonte, dhe fitonte jashtëzakonisht shumë në Gjermani, ishte kryepunëtor në një fabrikë të madhe, i investonte në organizatën politike ku bënte pjesë. Ai kishte ndjenjën që fati e kishte privilegjuar të punonte për çështjen e kombit me atdhetarë të zgjedhur si Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka. Nuk thuhet kot se udhëheqësit e vërtetë nuk krijojnë vartës, por udhëheqës të rinj. Edhe në burg, Hysen Gegaj pati rastin të rrinte me studentë që kishin pasur rol të rëndësishëm në organizimin e demonstratave të vitit 1981. Te Hysen Gegaj për vizitë shkonte herë pas here edhe simboli i qëndresës shqiptare Adem Demaçi, që vizita bënte jashtëzakonisht rrallë. Ndoshta përveç kontributeve atdhetare, Adem Demaçin e tërhiqte edhe talenti i madh i rrëfimtarit te Hysen Gegaj. Nuk e di a ka lënë gjë të shkruar me dorën e tij Hysen Gegaj, por e di tërthorazi se ai e kishte këtë aftësi për analizë dhe rrëfim. Dhe do të ishte dëm, nëse nuk ka mbetur asgjë e shkruar nga jeta e tij tepër dinamike. Bajram Kosumi, që kishte qëndruar bashkë me të në burg ia ateston këtë aftësi natyrore të letrarit  Hysen Gegajt. Për fat të keq, ne kemi mbetur në përgjithësi një shoqëri që nuk i ka kushtuar dhe ende nuk kushton rëndësinë e duhur  shkrimit, por vetëm rrëfimit oral. Shkrimi i ka, sigurisht, disavatazhet e tij, i ngurtëson gjërat, por ka edhe një përparësi të jashtëzakontë në raport me format e tjera të kujtesës njerëzore: është dokument, dëshmi materiale për një kohë të shkuar, është një rrëfim i konservuar për të gjithë brezat që vijnë pas, gjë që si mundësi i mungon në tërësi rrëfimit gojor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur sot takim urgjent…