Hyseni mirëpret vendimin e qeverisë për shpronësimin e pronave në “Qarkoren e Vjetër” të Gjilanit
Komuna e Gjilanit ka mirëpritur miratimin e vendimit përfundimtar nga Qeveria e Kosovës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Qarkorja e Vjetër e Qytetit të Gjilanit – Llot 1 dhe Llot 2”, në zonat kadastrale Shillovë, Livoç i Ulët dhe Gjilan.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se ndihet “tejet i lumtur” që, sipas tij, po marrin fund problemet pronësore që datojnë që nga vitet e paraluftës në këtë pjesë të qytetit.
Ai ka bërë të ditur se vendimi për shpronësim është votuar në mbledhjen e 19-të të Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se qytetarët pronat e të cilëve preken nga projekti do të kompensohen, gjë që, sipas tij, i hap rrugë Komunës për realizimin e projektit të zgjerimit dhe modernizimit të kësaj zone.
“Dua ta falënderoj përzemërsisht kryeministrin Albin Kurti, ish-ministrin Liburn Aliu, ish-ministrin Hysen Durmishi, si dhe ministren Fitore Pacolli për mbështetjen e parezervë, pavarësisht të gjitha sfidave që kanë qenë gjatë këtij procesi”, ka deklaruar Hyseni.
Kryetari i Gjilanit ka theksuar po ashtu se, me këtë vendim, Komunës së Gjilanit i janë kursyer së paku 20 milionë euro nga vendimet gjyqësore për shpronësim.



