
Hyseni në Bruksel me dy ekspertë të ekonomisë
Një takim në nivel të ekspertëve do të mbahet nesër në Bruksel në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Atje, bashkë me koordinatorin për dialogun Kosovë – Serbi, Skënder Hyseni, në cilësinë e ekspertëve të ekonomisë shkojnë edhe Muhamet Mustafa dhe Robert Muharremi.
Megjithëse informacione për temën e diskutimit në takimin e nesërm nuk janë bërë të ditura nga Zyra e Kryeministrit e as nga koordinatori për dialog, tema duket se ka të bëjë me ekonominë.
Kështu ka thënë për Telegrafin, Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. “Bashkë me koordinatorin Skënder Hyseni, atje janë edhe Muhamet Mustafa dhe Robert Muharremi. Kanë shkuar atje në cilësinë e ekspertëve të ekonomisë”, tha Beqiri.
I pyetur për temën e diskutimit, Beqiri tha se për detaje mund të flasë koordinatori për dialogun Kosovë – Serbi, Skender Hyseni.
“Për detaje besoj mund të flasë koordinatori, Skënder Hyseni. Por, për vetë faktin se aty janë si pjesë e delegacionit edhe ekspertë të ekonomisë, temat do të jenë kryesisht të kësaj fushe”, tha ai.
Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se në takimin e nesërm, temë diskutimi do të jenë pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin jo shumicë.