Hyseni: Trepça ‘89 synon daljen në Evropë

15 shkurt 2019 | 21:50

Trepça ‘89 në kampionat pritet të luftojë për mbijetesë, por synime të mëdha ka në garën e Kupës për faktin se synon të dalë triumfuese dhe të marrë sërish pjesë në garat ndërkombëtare.

Skuadra që hyri në histori të futbollit të Kosovës, duke u paraqitur për herë të parë në garën e Ligës së Kampionëve, Trepça ‘89, po synon që edhe në edicion e ardhshëm 2019/2020 të dalë sërish në garat evropiane.

Sulmuesi Hasan Hyseni ka thënë të enjten për “Epokën e re” se suksesi i fundit në çerekfinale të Kupës, ku arritën ta eliminojnë Prishtinën pas ekzekutimit të penalltive, ka shtuar “apetitin” e 89-shit për të triumfuar në garën e Kupës, e cila automatikisht ia siguron pjesëmarrjen në garën e Ligës së Evropës.

“Kemi arritur një sukses të madh që e eliminuam një skuadër të fortë siç është Prishtina. Kjo ka rëndësi të madhe që sezonin e nisëm me fitore. Synimi ynë është të dalim në Evropë, gjithnjë duke i vlerësuar maksimalisht kundërshtaret e mbetur, konkretisht Vëllaznimin, që është një ekip i fortë dhe mjaft cilësor. Presim dy ndeshje të forta në gjysmëfinale, me synim që të kualifikohemi në finale dhe në fund të dalim triumfues”, ka thënë Hyseni.

Skuadra e Trepçës ‘89 ndeshjen e parë në sezonin pranveror e zhvillon të shtunën ndaj skuadrës së Ferizajt. Futbollisti Hyseni ka thënë se në këtë ndeshje synohen tri pikët në mënyrë që skuadra nga Mitrovica të largohet nga zona e rrezikshme.

“Momentalisht jemi të fokusuar në ndeshjet e kampionatit që t’i ikim sa më shumë zonës së rrezikshme. Në javën e parë na pret një ndeshje e fortë ndaj Ferizajt që, po ashtu, ka nevojë për pikë, por ne jemi përgatitur dhe jemi optimistë se atje do të shënojmë fitore dhe t’i presim më të qetë ndeshjet e ardhshme në kampionat dhe Kupë”, ka shtuar ai.

Skuadra e Trepçës ‘89, që tash drejtohet nga trajneri Sabit Osmani, sezonin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e tetë me 22 pikë të grumbulluara, vetëm një pikë më shumë se skuadra e Ballkanit që është në zonën që i detyron skuadrat të luajnë në barazh.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është hapur ekspozita “Të…