
Hysni Gucati viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Janë të fortë dhe të palëkundur
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka vizituar sot në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gucati bëri të ditur se, pavarësisht kushteve të vështira të paraburgimit, Thaçi dhe Veseli mbeten të fortë, me moral të lartë dhe pa asnjë shenjë dobësie. Ai theksoi se mbajtja e tyre në paraburgim është padrejtësi, por qëndrueshmëria e tyre është dëshmi e forcës dhe e përkushtimit për të vërtetën.
Postimi i plotë i tij:
Sot vizituam shokët dhe bashkëluftëtarët, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët ndodhen në Hagë. Pavarësisht kushteve të vështira, ata ishin të fortë me moral dhe asnjëherë nuk treguan shenja të dobësisë. Po mbahen padrejtësisht në paraburgim, por qëndrimi i tyre i palëkundur dhe i vendosur për të luftuar për drejtësinë është një dëshmi e forcës dhe guximit të tyre.
Ata nuk kanë lejuar që kjo situatë të ndikojë në besimin dhe qëndrimet e tyre, duke treguar se edhe në kushte të vështira, fryma e drejtësisë dhe e sakrificës mbetet e pandryshuar. Edhe pse janë të mbyllur, ata vazhdojnë të shpresojnë dhe të luftojnë për të vërtetën, ndërkohë që qëndrimi i tyre është një burim frymëzimi për të gjithë ne që besojmë në liri dhe drejtësi.
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë të fortë dhe të palëkundur!