Një i burgosur ka humbur jetën mbrëmjen e sotme në Burgun e Sigurisë së Lartë në Kosovë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se rreth orës 22:00, i burgosuri me inicialet E.G. u gjet i varur në dhomën e tij, me puls të dobësuar.
Pavarësisht përpjekjeve për ndihmë mjekësore, ai nuk ka arritur të mbijetojë. E.G. ishte i dënuar për dy vepra penale të dhunimit dhe do të lirohej më 1 mars 2048.
Policia dhe prokurori kompetent janë njoftuar dhe janë nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Njoftimi i plotë:
Njoftim nga SHKK dhe DSHB
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 22:00, në Burgun e Sigurisë së Lartë, i burgosuri me inicialet E.G është gjetur i varur në dhomën e tij, me puls të dobësuar.
Menjëherë ka reaguar stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit si dhe emergjenca e qytetit. Pavarësisht përpjekjeve për ofrimin e ndihmës mjekësore, i burgosuri nuk ka arritur të rikthehet në jetë.
I ndjeri ishte i dënuar për dy vepra penale të dhunimit. Ai ishte pranuar në institucion më 15.08.2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë më 01.03.2048.
Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.



