
I dyshuari për vrasjen e dy izraelitëve në Uashington bërtiti “Liri për Palestinën”
Një burrë dhe një grua, anëtarë të stafit të ambasadës izraelite u vranë nga të shtënat me armë zjarri që ndodhi përpara Muzeut Hebraik të Kryeqytetit në Washington të mërkurën.
Sulmuesi u identifikua si Elias Rodriguez, 30 vjeç, nga Çikago, i cili, sipas policisë, bërtiti “Liri për Palestinën” pas arrestimit të tij, raporton BBC.
Sipas Shefes së Policisë Metropolitane Pamela A. Smith, rreth orës 9:08 të mbrëmjes policia mori disa raportime për të shtëna në veriperëndim të qendrës së Washingtonit. Me të mbërritur në vendngjarje, oficerët gjetën një burrë dhe një grua të dy pa shenja jete.
Pavarësisht përpjekjeve të ambulancës dhe zjarrfikësve, të dy ndërruan jetë nga plagët e marra.
Viktimat, siç është konfirmuar, po largoheshin nga eventi i mbajtur në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit. Komiteti Hebraik Amerikan (AJC) konfirmoi se po organizonte një aktivitet atje atë mbrëmje. Ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, tha se viktimat ishin “një çift i ri që do të fejoheshin”.
Smith tha se sulmuesi u pa duke ecur jashtë muzeut pak momente para sulmit. Pastaj ai iu afrua grupit prej katër personash, nxori një armë dhe hapi zjarr. Dy nga të goditurit vdiqën në vend.
Pas të shtënave, sulmuesi hyri në muze, ku u ndalua nga rojet e sigurisë. Gjatë arrestimit të tij, ai u tha rojeve se ku e kishte hedhur armën, të cilën autoritetet e gjetën më vonë.
Policia e identifikoi të dyshuarin si Elias Rodriguez, një 30-vjeçar nga Çikago, për të cilin nuk kishte të dhëna të mëparshme për kërcënime sigurie. Hetuesit aktualisht besojnë se ai veproi i vetëm dhe nuk përbën më rrezik për qytetarët. Gjatë arrestimit të tij, Rodriguez bërtiti “liri për Palestinën”, duke nxitur më tej dyshimet se motivi i sulmit ishte ideologjik.