I jepet lamtumira e fundit aktorit Adem Mikullovci

15 shtator 2020 | 18:30

Të martën në varrezat e qytetit në Dragodan (Arbëri) i është dhënë lamtumira e fundit aktorit dhe politikanit Adem Mikullovci.

Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, përfaqësues të komunitetit artistik dhe përfaqësues të institucioneve të vendit.

Bashkëshortja e tij, Lumnije Mikullovci, tha se Ademi ka jetuar me teatër dhe film.

Ajo ka treguar momentet e fundit të jetës së bashkëshortit të saj.

“Ka qenë sëmurë vitin e kaluar, por këtë vit ka qenë shumë mirë. Fjalët e fundit ai nuk pati kohë t’i thotë, sepse aorta abdominale e bëri të veten dhe kanë qenë dy minuta në pyetje. Por, para asaj ai e luajti një shfaqje të tekstit të tij për film. E luajti para meje, fqinjës sime, aq me emocione sa kur u krye i thashë ‘Adem, ti e luajte një shfaqje, na dhe një përjetim shumë emocional’. Aktori e ndien se i ka ardhur momenti. Ai ka jetuar me teatër dhe me film, aq ishte jeta e tij”, ka thënë Lumnije Mikullovci.

Ndërkaq përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues të komunitetit artistik kanë vlerësuar se Adem Mikullovci do të jetë i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.

Adem Mikullovci ndërroi sot jetë në moshën 81-vjeçare. Përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.

Gjithashtu ka qenë delegat i Kuvendit i cili shpalli Deklaratën Kushtetuese dhe të Pavarësisë nga viti 1990-1992, si dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gareth Bale pritet të largohet nga Real Madridi, kurse Manchester…