I jepet lamtumira e fundit asamblistit Labinot Aliaj

15 nëntor 2020 | 16:18

Në varrezat e qytetit të Istogut të dielën i është dhënë lamtumira e fundit asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës, Labinot S. Aliaj (28 vjeç), i cili ndërroi jetë të shtunën.

Pos familjarëve, në ceremoninë e varrimit morën pjesë përfaqësues nga Komuna e Istogut, përfaqësues të PDK-së, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe shumë qytetarë, raporton “Epoka e re”.

Të dielën Kuvendi Komunal i Istogut ka mbajtur mbledhje përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Labinot Aliaj.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, kryetari i Degës së PDK-së në Istog, Lulzim Shoshi, deputetë të PDK-së, asamblistë dhe qytetarë të shumtë.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Istogut, Qaush Balaj, ka thënë se Kuvendi Komunal ka humbur këshilltarin më të përkushtuar, ndërsa Istogu ka humbur aktivistin më të dalluar, “e familja ka humbur njeriun më të dashur”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Labinoti vepronte e përfaqësonte më së miri interesat e qytetarëve prej shumë kohësh.

“Aktivizmi i tij qytetar e politik, puna dhe angazhimi në shërbim të njerëzve, pa dallim, ishin virtyte të Labinotit që e kanë dalluar nga gjithë të tjerët. Ishte kritik ndaj zhvillimeve negative, por edhe mbështetës i punëve të mira. Familja, Istogu dhe PDK-ja humbën birin, qytetarin shembull e aktivistin besnik. Jeta dhe vepra e tij do të shërbejë si udhërrëfim për të gjithë ne në parti, se si duhet qyteti, Kosova dhe mbrohen interesat e qytetarëve. Dhimbjen dhe zbrazëtinë e madhe do të përpiqemi ta kompensojmë me punë e angazhim për një Kosovë më të mirë, ashtu siç Labinoti e deshi dhe u angazhua”, ka deklaruar Hoxhaj.

Labinot Aliaj ishte një aktivist i palodhshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, zë i fuqishëm i qytetarëve në Asamblenë Komunale në Istog dhe, si një i ri, ishte edhe humanist i madh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë pjesë në…