I jepet lamtumira e fundit Nexhmije Pagarushës

09 shkurt 2020 | 15:57

Në Pagarushë të Malishevës është varrosur të dielën në mesditë, këngëtarja e njohur Nexhmije Pagarusha, e cila ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare të premten.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, të dielën janë bërë homazhe dhe më pas një akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e saj.

Në këtë ceremoni, kanë marrë pjesë politikanë e artistë nga vendi dhe rajoni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij në këtë akademi, ka thënë se” kudo që jetojnë shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, janë zemërthyer dhe të pikëlluar. Kujtimi për Bilbilin e Kosovës kurrë nuk do të zbehet dhe këngët e saj do të jetojnë përgjithmonë me ne”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të Nexhmije Pagarushës, ka thënë se muzika dhe arti kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar.

Kurse kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tka deklaruar se “e gjithë Kosova dhe të gjithë ata që e vlerësuan artin e kulturën dhe ikonën e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, sot janë në dhimbje të madhe”.

Pas kësaj ceremonie, kortezhi i Nexhmije Pagarushës ka parakaluar nëpër sheshet kryesore të Prishtinës, në të cilin kanë marrë pjesë shumë qytetarë.

Pagarusha kishte nisur karrierën e saj muzikore më 1948 në Radio Prishtinë.

Pagarusha, e cila ishte nderuar nga Presidenca e Kosovës me çmimin “Artiste e Merituar”, njihej ndryshe edhe si “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e Këngës Shqipe” dhe “Madam Butterfly”.

Ndërkaq, Presidenca e Shqipërisë e kishte nderuar atë me titullin “Nderi i Kombit”.

Kënga “Baresha” konsiderohet si një nga kryeveprat e interpretimeve të Pagarushës, e cila është realizuar në vitin 1966 nga kompozitori Rexho Mulliqi, me tekst të Rifat Kukajt.

Ajo kishte përmbyllur karrierën e saj si këngëtare aktive më 1984 në një koncert në Sarajevë. Por, në vitin 2000, pas 16 vjetësh mungesë në skenë, ajo u rikthye duke kënduar për mediat shqiptare këngën “Për ty”.

Përveç muzikës, Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria Kurti do të kthejë shpresën tek qytetarët e vendit…