
I lirë në burg, të burgosur në liri!
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Intervistë e jashtëzakonshme e Hashim Thaçit: Hashim Thaçi është figura më mbresëlënëse dhe përcaktuese në historinë e re të Kosovës dhe shqiptarëve. Që nga vitet e ’80-a të shekullit të kaluar nuk ka proces nëpër të cilin ka kaluar Kosova dhe shqiptarët (jo vetëm në Kosovë) e që Hashim Thaçi të mos jetë në epiqendrën apo vet qendra e zhvillimeve që përfunduan me luftën e lavdishme të së lavdishmes Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) me komandantin politik, të pavdekshmin Bacë Adem Demaçi dhe Legjendarin Adem Jashari. Hashim Thaçi ishte alfa dhe omega e Lëvizjes Studentore që ishte spiritus movens e rezistencës aktive dhe ushtarake. Ishte indi ndërlidhës i organizimit në diasporë dhe aktiviteteve të ilegales në Kosovë. Para Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, isha i pranishëm si monitorues, si pjesë e grupit të Adem Jasharit u dënua në mungesë me 15 vjet burgim. Ishte pjesë fundamentale dhe e pazëvendësueshme e luftës së UÇK-së deri në çlirim dhe adresa kryesore e komunikimit politik me faktorin ndërkombëtar. Kundërshtarët dhe sabotuesit e luftës, dezertorët dhe mohuesit e lirisë e akuzonin se luftën e ka bërë nga “shtabi operativ i Rognerit” në Tiranë e që e vërteta ishte krejtësisht e kundërt. Një atdhetar i jashtëzakonshëm, njeri i mrekullueshëm dhe shqiptar i madh, ish-i burgosur politik, tash prehet në përjetësi bashkë ne shokët e idealit, Bacë Adem Demaçi, Dr. Hafir Shala, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Xhavit Haziri dhe të tjerë, i pavdekshmi Tahir Hani nga Veleshta e Strugës na tregonte se gjatë kalimeve të shpeshte nga Shqipëria në Kosovë, përmes Maqedonisë, Hashim Thaçi kishte kallashnikovin dhe dy bomba dore, i vendosur të mos dorëzohej i gjallë nëse do të përballej me forcat armike.
Koha e tranzicionit: Pasi i udhëhoqi me mjeshtëri dhe saktësi prej filigrani bisedimet e Rambujesë, me taktikën tërhiq e mos e këput, nxori më të mirën e mundshme kur e dëgjoi këshillën e Bacë Adem Demaçit që të mos e nënshkruaj marrëveshjen pa garanci të forta. Thonë se trimave iu prinë edhe fati! Fati ishte se Serbia nuk pranoi ta nënshkruante këtë marrëveshje duke bërë llogari të gabuara. Hashim Thaçi bëri mirë që nuk ua dorëzoi rolin udhëheqës të tjerëve; Rugova ishte tepër i butë për vendime të rënda, Qosja kishte qëndrim oportunist dhe të luhatshëm, ndërsa po të varej nga Veton Surroi për pesë minuta do të kthehej Jugosllavia dhe Serbia në Kosovë, përmes UJD-it. Kam qenë bashkë ne Bacën Adem në shumicën e bisedave telefonike që i bënte Baca me Hashim Thaçin përmes telefonit satelitor dhe jam i informuar shumë mirë. Hashim Thaçi ishte nën presion të madh nga rryma projugosllave e delegacionit, nga ndërkombëtarët dhe nga autoritetet mercenare të Shqipërisë për ta nënshkruar, pa kushte këtë marrëveshje. Blerja e kohës nga Thaçi e forcoi pozicionin negociues të Kosovës . E udhëhoqi procesin e demilitarizimit të UÇK-së që kushtëzohej nga ndërkombëtarët, si kusht drejt shtetësisë. Ishte dominues në bisedimet e Vjenës ku bëri lëshime taktike, për një fitore strategjike – shtetin e Kosovës. Kur e lexoi Deklaratën e Pavarësisë ia panë për të madhe pse nuk ia lejojë këtë Fatmir Sejdiut që ishte president apo për ta zënë ngushtë pse këtë nuk e bëri Baca Adem Demaçi. Po, ma gjeni një rast të vetëm në botë kur dikush ia dhuron tjetrit lavdinë e fituar më shumë mund dhe sakrifica për ta bërë këtë Hashim Thaçi i cili, jo se nuk e pëlqen popullaritetin dhe lavdinë! Pas shpalljes së pavarësisë, Hashim Thaçi si KM, një kohë ministër për Punë të Jashtme, deputet dhe president, më shumë sukses arriti ta pajisë Kosovën me letërnjoftim ndërkombëtar përmes më shumë se 115 njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Thuaja e zhduku kufirin Kosovë – Shqipëri, kontribuoi shumë për të drejtat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi.
Gjykata Speciale Raciste: Një politikan me mentalitet dhe sjellje prej injoranti dhe mediokriteti nuk ka kapacitet të marrë vendime të mëdha për kombin dhe shtetin shkaku se ia mund lakmia dhe interesi personal, familjar dhe grupor. Vetëm ai që ka vetëdije dhe përgjegjshmëri prej burrështetasi është në gjendje të marrë vendime të dobishme për kombin dhe shtetin edhe nëse janë kundër tyre e kryesisht janë kundër tyre. I tillë ishte Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli duke mbrojtur interesin kombëtar dhe shtetëror përmes vetëmohimit dhe sakrifikimit personal. Rexhep Selimi ishte kundër GjSR-së mirëpo fatin e ka bashkërenditur me ata që e votuan këtë gjykatë…. në GjSR në Hagë. Në jetë e sidomos në politikë, i mençuri dhe i urti kërkon vetëm atë që “i takon Cezarit”, atë që mund ta ketë në bazë të investimeve që i ka bërë. Ndërkaq ata që nuk kanë bërë asgjë për komb dhe popull, vuajnë nga nevoja e domosdoshmërisë së kompensimit për atë që nuk e kanë njerëzoren dhe patriotizmin. Kërkesat i kanë maksimale kurse qëllimin përfundimtar e kanë një pjatë për ta lëpirë dhe një asht për ta gërryer. Aq është investimi i tyre! Një lojtar i mirë i shahut e sakrifikon mbretëreshën për ta fituar lojën. Një patriot dhe burrështetas i mençur e sakrifikon veten për kombin dhe shtetin. Një lojtar i keq i shahut e jep mbretëreshën për ta fituar figurën e kalit mbi të cilin do të hyp si Don Kishoti mbi Rosinantin. Don kishotët kosovarë nuk dinë çka është shteti apo kombi andaj i bëjnë rrush e kumbulla .
Çka na mësoi intervista e Hashim Thaçi?: Asgjë të veçantë për njohësit e rrethanave të burgut dhe psikologjinë e një të burgosuri që ka një qëllim për të mbrojtur, dinjitet dhe përgjegjësi ndaj këtij qëllimi dhe dinjiteti. Historikisht, që nga Greqia antike, perandoria Romake e deri më sot dihet se veprat më të mëdha shkencore, letrare, artistike, kulturore dhe të tjera janë shkruar ose në burg ose gjatë internimit, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë nënqiell e shoh edhe intervistën e Hashim Thaçit. Në jetën time kam takuar tre personalitete që për fatin e tyre të pësuar nga burgu i gjatë apo internimi nuk e fajësojnë askënd, nuk e mallkojnë askënd dhe nuk kërkojnë përgjegjësi nga askush për faktin se kishin përqafuar filozofinë stoike dhe mentalitetin e Prometheut. Ata ishin:
- Bacë Adem Demaçi që kaloi afërsisht 30 vjet në llogoret e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë,
- Kozara Kati, që është në parajsë bashkë me Bacën Adem, kishte kaluar mbi 23 vjet internim dhe burg në llogoret e Enver Hoxhës dhe,
- Hashim Thaçi që po mbahet peng që 5 vjet në Gjykatën Raciste Speciale në Hagë.
Në intervistën e Hashim Thaçit nuk gjeni mllef, hatërmbetje apo përpjekje për hakmarrje ndaj askujt, llaskucëve politikë të vendit e as ndaj kriminelëve ndërkombëtarë. As ndaj halabakëve e as ndaj prostitutave mercenare mediale. As ndaj atyre që e fyejnë personalisht dhe familjarisht në kundërshtim me moralin njerëzor dhe traditën shqiptare. Ishte një intervistë e njeriut prej mishit dhe gjakut, emocionale ku kërkohen emocionet, e ftohtë si akulli kur mbrohej interesi kombëtar dhe shtetëror. Për ata që shfaqin dyshime se këto fjalë nuk janë të Hashimit e them se asgjë nuk kuptojnë nga jeta e burgut. Kam qenë afërsisht 9 vjet në burg, mbi 5 vjet në izolim. Nëse një i burgosur qëndron i fortë moralisht dhe shpirtërisht , nëse e mirëmban veten fizikisht dhe që është shumë me rëndësi nëse e kalon kohën duke lexuar, pesë vite aq sa është Hashim Thaçi në burg janë të brazvlefshme me përfundimin e studimeve me sukses shembullorë në Oxford apo Cambridge. Më së paku.
Intervista e Hashim Thaçit nga burgu i Hagës e vërtetojnë atë që e shkrova më lart se humbja e përkohshme e lirisë në asnjë mënyrë nuk është pengesë gjatë ecjes drejt cakut për të cilin jeni angazhuar dhe sakrifikuar gjatë tërë jetës, përkundrazi e përshpejton arritjen e cakut, nëse jo për të burgosurin personalisht, për njerëzimin pa asnjë dyshim! Hashim Thaçi edhe në burg është më i lirë se këta që janë në liri por që mendjen, zemrën dhe shpirtin e kanë të robëruar nga lakmia, smira dhe urrejtja! Fali o Zot ndonëse e dinë çka bëjnë!