“I marrim seriozisht këto pretendime” – KFOR reagon pas arrestimit për spiunazh të pilotit kroat dhe partneres së tij serbe

28 gusht 2025 | 21:20

Nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë reaguar pas arrestimit të pilotit kroat dhe të dashurës së tij kosovare nën dyshimet për spiunazh.

“Ne i marrim shumë seriozisht këto pretendime. Siguria e personelit të KFOR-it dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore”, tha një zyrtar i NATO-s për REL-in.

Mediat kroate kanë raportuar se piloti kroat është arrestuar bashkë me partneren e tij nga Kosova, nën dyshimin se ajo ka siguruar të dhëna të ndjeshme dhe më pas ia ka përcjellë atij. Sipas këtyre raportimeve, bëhet fjalë për informacione që lidhen me lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës, si dhe të pjesëtarëve të KFOR-it.

Arrestimet kanë nxitur interesim të madh publik, ku një pjesë e mediave kanë raportuar se autoritetet po hetojnë edhe lidhjet e mundshme të çiftit me shërbimet e inteligjencës serbe.

Ndërkohë, Kroacia ka shqiptuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh për Serbinë, teksa autoritetet në Kosovë thanë se janë të gatshme të bashkëpunojnë për këtë rast, pasi “veprimtaria e të arrestuarve është zhvilluar në Kosovë”.

Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi më 28 gusht se pas pranimit të kallëzimit penal nga Sektori i Pavarur për çështje të policisë ushtarake një ditë me herët, ka ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve kundër një shtetasi të Republikës së Kroacisë (i lindur më 1971) për veprën penale të spiunazhit, dhe kundër një shtetaseje të Republikës së Serbisë (e lindur më 1979) për të njëjtën vepër penale.

Po ashtu, “me vendim të Prokurorisë së Qarkut në Split është caktuar fshehtësia e tërë e hetimit, me arsyetimin se publikimi i të dhënave nga procedura mund të dëmtojë zhvillimin e hetimeve”.

Sipas medias kroate, Index, piloti korat J.I. dhe e dashura e tij, A.M. serbe nga Mitrovica e Veriut dyshohen se kanë spiunuar për Serbinë. Është raportuar se ajo kishte punuar në Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit, EULEX.

Sipas Index-it, që u thirr në burime, dyshohet se piloti kroat, i angazhuar në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, të cilat ajo më pas ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe.

Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Prokuroria e Qarkut në Split i ka propozuar gjyqtarit të hetimeve të Gjykatës së Qarkut në Split caktimin e paraburgimit për të pandehurin e parë, për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët dhe të përsëritjes së veprës penale, ndërsa për të pandehurën e dytë për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale.

“Gjyqtari i hetimeve e ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar paraburgim për të pandehurin e parë për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët, si dhe për të pandehurën e dytë për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit mbi dëshmitarët”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Qarkut në Split.

Për rastin kanë folur edhe nga Qeveria në detyrë e Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit”.

Ndërkaq, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, pas seancës së Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 28 gusht, u pyet nga gazetarët lidhur me këtë rast. Ai u përgjigj shkurt se as ai dhe as ndonjë eksponent tjetër i Listës Serbe nuk e njeh A.M., duke mohuar që ndokush prej tyre të ketë pasur lidhje me të./Radio Evropa e Lirë/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Avdullah hoti, ka reaguar pasi BE-ja ka…