
I ngarkuari me punë në Ambasadën e Gjermanisë interesohet për përgatitjen e zgjedhjeve lokale
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka pritur të martën në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Christian Boettcher.
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e rëndësisë së proceseve zgjedhore demokratike.
Gjatë takimit, kryesuesi Radoniqi e informoi Boettcherin lidhur me përgatitjet që KQZ-ja është duke bërë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.
Kryesuesi Radoniqi shprehu angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe transparent, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për ruajtjen dhe përmirësimin e standardeve demokratike në Kosovë.
Nga ana e tij, Boettcher vlerësoi përpjekjet e KQZ-së për forcimin e demokracisë në vend dhe uroi sukses në organizimin e procesit zgjedhor.