
I plagosuri i arrestuar Vlladimir Toliq: Kam qenë në Banjskë më 24 shtator, por në askënd s’kam gjuajtur
I akuzuari Vladimir Toliq tha se është fakt i ditur që më 24 shtator 2023 ka qenë në Banjskë, por se nuk ka gjuajtur në askënd. Ai shprehu keqardhje për humbjen e jetës së zyrtarit policor Afrim Bunjaku.
“Gjatë mjekimit kam kuptuar se ka humbur jetën zyrtari policor, që më vjen shumë keq për këtë. Do të shtoj diçka, se unë Vladimir Toliq më 24 shtator në askënd nuk kam gjuajtur dhe nuk kam pasur qasje në mjete eksplozive”, tha ai gjatë fjalës hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I akuzuari falënderoi ekipin mjekësor që ia kanë shpëtuar jetën.
“Pajtohem me avokatin. Unë kam qenë në Banjskë më 24 shtator dhe është e qartë, por motivi i pranisë time dhe pjesëmarrja në atë ngjarje dallon nga ajo si është e cekur në aktakuzë. Në asnjë moment s’kam mundur të supozoj se çka po ndodh dhe pasojat që kanë qenë në fund. Të gjithë ne e dimë se kam qenë i plagosur rëndë, jam mjekuar në Prishtinë”, tha Toliq.
Para tij, edhe mbrojtësi i Toliq, avokati Millosh Deleviq, tha se fjalën hyrëse e ka përgatitur me shkrim dhe të njëjtën ia dorëzoi Gjykatës. Ai tha se kishte presion në ngritje të kësaj aktakuze.
“Është rasti më kompleks dhe më i rëndë që i ka ndodhur Republikës së Kosovës, është bërë presion i rëndë dhe i lartë ndaj Prokurorisë Speciale, është paraqitur presioni përmes medieve, publikut dhe posaçërisht përmes pushtetit ekzekutiv. Tre muaj pas ngjarjeve në Banjskë, kryeministri i Kosovës ka bërë pyetje se përse s’kemi aktakuzë lidhur me këtë rast, çdo muaj përmes medieve është kërkuar nga Prokuroria që të përfundohen hetimet dhe të akuzohen për atë që Prokuroria Speciale ka pasur edhe gjashtë muaj afat. Prokuroria e bëri për më pak se një vit”, tha Deleviq.
Sipas tij, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se çfarë role kanë pasur se çka individualisht kanë vepruar. Tha se nuk ka konkretizime për asnjë pjesëtar lidhur me veprimtarinë e tyre, përveç që thuhet se udhëheqës ka qenë Milan Radoiçiq.
“Nuk dihet kush i ka marrë pengjet, nuk kemi përgjigje për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe për armëmbajtje pa leje. Nuk kemi përgjigje, këto që do duhej të ishin në aktakuzë’, tha ai.
Deleviq tha se pas administrimit të provave do të vërtetohet se i mbrojturi i tij Toliq nuk ka pasur rol domethënëse. Falënderoi Plicinë e Kosovës që i kishin ofruar ndihmë Toliqit kur ishte plagosur.
Avokati tha se do të vërtetohet se i akuzuari Toliq nuk ka pasur komunikime me udhëheqësit e grupit dhe se provat nuk kanë të bëjnë me të dhe nuk janë relevante për vërtetimin e fajësisë për këto vepra penale.
“Prokuroria nuk ka asnjë provë që e vë në lidhje të drejtpërdrejtë me humbjen tragjike të zyrtarit policor Afrim Bunjaku. Do të shohim se Vladimit Tolit nuk ka ditur për plan të mirëorganizuar sikurse pretendon Prokuroria dhe qëllim për shkëputje të pjesës veriore të Kosovës”, tha Deleviq.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë që sa më shpejtë të ndryshojë aktakuzën dhe të konkretizojë veprimet e të mbrojturit të tij. Nëse kjo bëhet, tha se do të shqyrtojnë sërish deklarimin rreth fajësisë.
“Pajtohem që duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë dhe lus kolegët avokatë që të përmbahen nga kërkesa për burgim të përjetshëm, të paktën derisa të përfundohet procedura e provave”, tha Deleviq.
Spasojeviq: S’e kam sulmuar me eksploziv e armatime të rënda askënd, as s’e kam vrarë e lënduar askënd
(Përditësuar, ora 11:49)- I akuzuari për sulmin në Banjskë, Blagoje Spasojeviq, në fjalën hyrëse tha se nuk e ka sulmuar askënd e as nuk e ka vrarë askënd. Tha se nuk kishte qëllim ta shkëpusë veriun e Kosovës e t’ia bashkëngjes Serbisë.
“Unë askënd s’e kam sulmuar me eksploziv, me armatime të rënda. Askënd s’e kam vrarë, askënd s’e kam lënduar. As që kam pasur për qëllim veriun e Kosovës ta shkëpus dhe ta bashkoj me Serbinë”, tha Spasojeviq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Ljubomir Pantoviq, tha se fjalën hyrëse e ka përgatitur me shkrim. Më pas, e elaboroi në Gjykatë, duke thënë se aktakuza ka mangësi dhe se nuk përshkruhen veprimet individuale të të mbrojturit të tij.
“Kanë kaluar një vit e gjysmë, gjatë këtij një viti e gjysmë janë marrë mediet, publiku i gjerë e autoritetet ekzekutive. Kemi dëgjuar mendime të ndryshme, por shumica kanë qenë të një mendimi. Para kësaj Gjykate shumëkush të pandehurit i kanë shpallur fajtorë dhe sot dëgjuam që flitet veç për një dënim të mundshëm që qysh në fillim e ngarkon këtë çështjen kryesore nëse jemi shoqëri demokratike duhet pa përjashtim të respektojmë prezumimin e pafajësisë për të pandehurit, pa marrë parasysh veprën dhe çfarë janë provat”, tha ai.
Avokati Pantoviq tha se kjo vlen për të gjithë, jo vetëm për Gjykatën dhe prokurorin. Ai tha se aktakuza ka mangësi të shumta.
“Pra, mangësi thelbësore dhe paqartësi si në shikim të përshkrimit faktik të veprave penale, ashtu edhe në kualifikim juridik”, tha avokati.
Sipas Pantoviqit, aktakuza në këtë formë dhe në këtë përmbajtje nuk është dashur të vijë në fazën e shqyrtimit kryesor. Tha se përgjegjësia penale e secilit të akuzuar është individuale dhe se secili përgjigjet penalisht për atë që ka bërë dhe veprën penale që e ka kryer.
“Por, atë çfarë e ka bërë i pandehuri, duhet të jetë precize, e qartë, e përshkruar në aktakuzë çka saktësisht ka bërë i pandehuri, ku, në çfarë mënyre, kur e ka bërë atë, çka parasheh si vepër penale sipas ligjit. Dhe këtë në aktakuzë nuk e kemi dhe vërtetoj se ky është një problem i madh i kësaj aktakuzë”, tha Pantoviq.
Sipas tij, në pikën 1 dhe 2 të aktakuzës, që kanë të bëjnë me të mbrojturin e tij Spasojeviq, askush nuk mund të vërtetojë se çka konkretisht ka bërë Spasojeviq më 24 shtator 2023 në Banjskë, cilat ishin veprimet e tij konkrete, pasi nuk i ka këto të dhëna aktakuza.
Ai tha se në pikën 1 të aktakuzës, Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë pasur role të ndryshme, por që, sipas tij, nuk vërtetohet se cilin rol e kishte Spasojeviq. Tha se në aktakuzë nuk ka asnjë fjalë për elementin e bashkëkryerjes.
“Asgjë nuk shkruhet për dashje, marrëveshjen paraprake dhe për ndarjen e roleve në bashkëkryerje. Mendoj se edhe tash duhet të thuhet se të pandehurit kanë pasur qëllim të ndajnë pjesën veriore, nuk ekziston”, tha Pantoviq.
Sipas avokatit, përgjegjësia individuale e Spasojeviq nuk mund të vërtetohet me një përshkrim të përgjithshëm të ngjarjes në Banjskë, pasi sipas tij nuk kemi përshkrim konkret të veprimeve. Tha se emri i të mbrojturit të tij përmendet vetëm në fillim të aktakuzës, ku përmenden emrat e gjithë të akuzuarve.
Pantoviq tha se edhe pse aktakuza është konfirmuar, nuk i plotëson kriteret që parasheh Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, sa i përket përmbajtjes së aktakuzës.