I shpëtohet jeta një 37-vjeçareje në Mitrovicë, pati gjakderdhje nga shtatzënia jashtë mitre

28 janar 2026 | 12:25

Një rast i rrallë është paraqitur në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Siç është thënë në njoftimin zyrtar të spitalit, pacientja B.Sh. (1988) është pranuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të theksuara të shokut hemorragjik (humbje e madhe e gjakut), transmeton Klankosova.tv.

Pas vlerësimit të menjëhershëm klinik nga stafi i Shërbimit Emergjent, si dhe pas ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, u diagnostikua një shtatzëni ektopine cornuale, një rast i rrallë (2-4 për qind e shtatzënive jashtë mitrës), e shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën e pacientes.

“Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të koordinuar të stafit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim me ekipin kujdestar të Repartit të Kirurgjisë, Gjinekologjisë dhe Anestezionit, si dhe shërbimeve mbështetëse, u mor vendimi jetik për kryerjen e një laparotomie urgjente, e cila sipas spitalit, u realizua me sukses. Ndërhyrja në kohë ka rezultuar vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes”.

“Ky rast i reagimit të shpejtë dhe i shpëtimit të jetës përbën një shembull të shkëlqyer të përkushtimit profesional, reagimit emergjent dhe bashkëpunimit multidisiplinar, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e stafit për menaxhimin e rasteve më të rënda dhe më komplekse, në shërbim të jetës”, ka njoftuar Spitali i Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Barcelonës, Dani Olmo, ka hedhur poshtë krahasimet mes…