
I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit për grisjen e Kuranit në Prizren
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit I.P., për grisjen e librit të shenjtë të fesë islame- Kuranit, më 3 mars 2025 në Prizren.
Kjo gjë u bë e ditur për “Betimi për Drejtësi” përmes përgjigjes së udhëheqëses së Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Sipas Gashit, vendimi për vazhdimin e kësaj mase është marrë më 3 prill.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit I.P., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 03.04.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit I.P., i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigje.
I pandehuri dyshohet se me veprimet e tij, ka nxitur urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.
“Nga provat e siguruara nga Policia me autorizim të PSRK-së e të bashkangjitura kërkesës për caktim të masës së paraburgimit e të cilat prova gjenden në shkresa të kësaj lënde, gjykata vlerëson dhe konstaton se në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore ngase ekziston dyshimi i bazuar se me datën 03.03.2025, rreth orës 12:10, në Prizren, në afërsi të teges Halveti, ka nxitur he përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve fetare”, thuhej në vendimin e parë të Gjykatës, me të cilin i ishte caktuar paraburgimi prej 30 ditësh të dyshuarit.
I.P., thuhet se kishte grisur librin e shenjtë, teksa copëzat e grisura në rrugë i kishin vërejtur qytetarët.
“I njëjti e kishte marrë librin e shenjtë të myslimanëve, Kur’anin të cilin e kishte grisur, ashtu që pasi qytetarët i kanë vërejtur copëzat e grisura në rrugë, rastin e kanë paraqitur në polici dhe me këtë rast është shkaktuar mllef i madh te komuniteti islam dhe është cenuar bashkëjetesa mes grupeve me ideologji të ndryshme fetare me çka edhe mund të prishej rendi dhe qetësia publike”, thuhej tutje në vendim.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.l të Kodit Penal.
I dyshuari ishte ndaluar më 4 mars, me aktvendim të Prokurorisë Speciale.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.