“Ia mori tregun në Ballkan”- Kompania ruse pengoi ngarkimin në port të mbi 60 kontenjerëve me xham biznesmenit nga Kosova
Një situatë kaotike shpërtheu në një port të madh italian, ku mbi 60 kontenjerë të ngarkuar me xham, të prodhuar nga fabrika më e madhe e xhamit në botë “AGC” dhe të destinuar për biznesmenin kosovar Bledian Ramadani, shkaktuan tensione mes shoferëve të kamionëve.
Ky incident erdhi në mes të temperaturave të larta dhe pritjeve të gjata (gjatë verës), duke çuar në përleshje fizike.
Këta kontenjerë ishin nisur për në Portin e Durrësit, ku një pjesë e ngarkesës besohet se ishte për megaprojektin e Mohamed Alabbar në Shqipëri.
Si tentoi kompania ruse të pengojë kontenjerët me xham të Ramadanit?
Një kompani detare ruse, besohet se ka tentuar të pengojë ngarkesën me 60 kontenjerë me xham të biznesmenit kosovar Bledian Ramadani në këtë port.
E arsyeja për këtë tentim bllokimi të mallit për biznesmenin kosovar, nga kompania ruse detare, janë të forta.
Ramadani tashmë i ka prishur matematikat një oligarku rus, i cili për vite të tëra kishte kontrollin e plotë mbi tregjet e xhamit në tërë Ballkanin.
Biznesmeni nga Vitia e ka ‘qit nga loja’ konkurrentin e fuqishëm me origjinë ruse, i cili për vite të tëra kishte kontrolluar (monopol) tregjet e xhamit në Ballkan.
Ky oligark rus kishte dominim të fortë në zinxhirin e furnizimit me xham në rajon, por suksesi dhe puna e biznesmenit kosovar Bledin Ramadani e ka tronditur këtë kompani me origjinë ruse.
“Gjithçka ka nisur si hakmarrje ndaj biznesmenit nga Vitia, e ku ky i fundit i ka marrë nga ‘dora’ kompanisë ruse një megaprojekt të rëndësishëm në Ballkan, i cili ende nuk është zbuluar për publikun, por pritet të ketë ndikim të madh në rajon”, kanë thënë burime të Periskopit të afërta me biznesmenin Ramadani.
Sipas të njëjtave burime, kjo konkurrencë e ashpër midis dy biznesmenëve, njëri kosovar dhe tjetri me origjinë ruse, duket se ka krijuar tensione në industrinë e xhamit dhe ndërtimit në rajon.
“Ndërhyrja e dyshuar e kompanisë detare ruse në portin italian ngre dyshime se ky konflikt tregtar mund të jetë shkaku kryesor i përpjekjes për të sabotuar dërgesën e Ramadanit. Ky veprim mund të jetë një përpjekje për të ruajtur kontrollin mbi tregjet strategjike të Ballkanit dhe për të penguar dominimin në rritje të Ramadanit”, ka vlerësuar ky burim i Periskopit.
Ngarkesa e xhamit nga “AGC”, që përfshin materiale për projekte madhore si ai i Mohamed Alabbar në Durrës, është thelbësore për zhvillimet urbane të planifikuara në Shqipëri.
Megjithatë, tensionet e krijuara në portin italian dhe konkurrenca e ashpër me konkurrentin rus kanë ngritur shqetësime për vonesa dhe ndikime të mëdha në tregun e ndërtimit në Ballkan.
Për këtë skandal të kompanisë ruse detare, autoritetet italiane janë në proces të hetimit të plotë të incidentit dhe po shqyrtojnë pretendimet për ndërhyrjen e kompanisë detare ruse.
Ndërkohë, Ramadani vazhdon të forcojë pozicionin e tij në tregun e xhamit në Ballkan, duke sfiduar kompani të mëdha ndërkombëtare dhe duke marrë pjesë në projekte që po ndikojnë në ndryshimin e peizazhit urban të rajonit.