Ibrahim Gashi: Konferenca e Rambujesë, një nga momentet kulmore të diplomacisë në historinë moderne të shqiptarëve
Profesori universitar Ibrahim Gashi ka thënë se Konferenca e Rambujes mbetet një nga momentet kulmore të diplomacisë ndërkombëtare në historinë moderne të shqiptarëve, krahas Konferencës së Londrës (1912–1913).
“Megjithatë, dallimi midis këtyre dy forumeve është thelbësor dhe domethënës për mënyrën se si u artikulua fati politik shqiptar në rrethana të ndryshme historike”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar se: “Në Londër, çështja shqiptare u trajtua në mënyrë periferike dhe vendimmarrja u diktua kryesisht nga interesat e Fuqive të Mëdha, në mungesë të një faktori të konsoliduar politik dhe ushtarak shqiptar që do ta impononte veten në tryezën diplomatike. Shqiptarët ishin më shumë objekt sesa subjekt i diplomacisë ndërkombëtare”.
Gashi ka thënë se në Rambuje, përkundrazi, delegacioni kosovar, i mbështetur drejtpërdrejt nga lufta e UÇK-së dhe i prirë nga përfaqësuesit e saj politikë, arriti të artikulojë qartë kërkesën për garanci politike që shkonin përtej autonomisë formale. “Këmbëngulja në parimin e vetëvendosjes dhe në një zgjidhje që hapte perspektivën e pavarësisë e shndërroi palën shqiptare në një aktor real të procesit negociator”.
“Në këtë kuptim, lufta e UÇK-së përfaqëson realpolitikën shqiptare të fundit të shekullit XX, një kombinim i rezistencës së armatosur dhe i legjitimimit ndërkombëtar, që krijoi kushtet për një marrëveshje politike me efekte afatgjata. Rambujeja nuk ishte thjesht një konferencë paqeje, por një nyje historike ku forca në terren u përkthye në kapital diplomatik, duke i hapur rrugë çlirimit dhe, më pas, pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Gashi.



