Ibrahimovic Jr. i ndjek hapat e babait: Djali i Zlatanit transferohet tek gjiganti evropian

14 janar 2026 | 11:05

Maximilian Ibrahimovic, djali i legjendës së futbollit Zlatan Ibrahimovic, e ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

19-vjeçari e ka lënë Milanin për t’u transferuar te Ajaxi, klub historik holandez ku edhe babai i tij e nisi ngritjen drejt majave të futbollit evropian.

Lajmi është bërë zyrtar nga vetë Ajaxi, i cili ka konfirmuar se Maximilian bashkohet me klubin në formë huazimi nga Milani, me një opsion blerjeje në fund të sezonit.

Fillimisht, ai do të jetë pjesë e ekipit U23 të Ajaxit, me synimin që gradualisht të afrohet me ekipin e parë.

Drejtori sportiv i Ajaxit, Marijn Beuker ka theksuar se klubi beson në potencialin e sulmuesit të ri suedez dhe se ky transferim është menduar si një projekt zhvillimi afatmesëm.

“Do të fillojë me ekipin e të rinjve dhe më pas do ta shohim rritjen e tij drejt ekipit të parë”, është shprehur ai.

Maximilian Ibrahimovic aktivizohet si sulmues krahu apo mesfushor ofanziv dhe ka qenë pjesë e Milan Futuro, si dhe i përfaqësueseve të moshave të Suedisë.

Edhe pse mbiemri i tij mbart një peshë të madhe, Ajaxi synon ta vlerësojë atë për cilësitë individuale dhe jo vetëm për trashëgiminë familjare.

Ky transferim e ka edhe një domethënie simbolike, pasi Ajax ishte klubi ku Zlatan Ibrahimovic u afirmua në fillim të viteve 2000, përpara se të bëhej një nga sulmuesit më të mëdhenj në historinë e futbollit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezad Halilaj, ndihmësauditorja e përgjithshme, Myrvete Gashi-Morina…