
Idrizi: Kam koalicion me qytetarët, skenari i vitit 2017 s’do të përsëritet
Kryetari i Vushtrrisë, Ferid Idrizi, ka thënë se nuk i frikësohet koalicionit për raundin e dytë që kanë lidhur Vetëvendosje dhe LDK në këtë komunën për raundin e dytë të zgjedhje.
Idrizi i cili në balotazh do të përballet me Sylejman Mehollin e LV-së, ka thënë se ai ka koalicion me qytetarët.
Sipas tij, koalicioni i LV-së dhe LDK-së është skenar i vitit 2017, ku ai kishte humbur garën në raundin e dytë, por ka thënë se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më .
“Qëllimi është me marrë drejtimin e komunës, kështu ka ndodhur edhe në vitin 2017. Kësaj radhe jemi në rrethana të tjera, koalicioni im është me qytetarët e Vushtrrisë dhe qytetarët nuk do të lejojnë që të përsëritet skenari i vitit 2017. Nuk i frikësohem asnjë koalicioni, sepse kam koalicion me qytetarët”, ka thënë ai për “Tëvë1”.
Idrizi ka thënë se ky koalicion është më shumë vullnet i Tahirit, pasi sipas tij edhe një pjesë e degës kësaj partie në Vushtrri janë kundër.
“E kam përcjellë sot këtë nënshkrim të marrëveshjes, por ma vonë doli që LDK ishte kundër por një pjesë e strukturave këtu në Vushtrri dhe ky koalicion nuk e përfaqëson vullnetin e LDK-së, por të Xhafer Tahirit”, ka thënë Idrizi.
Të hënën, LV-ja dhe LDK kanë zyrtarizuar koalicionin për raundin e dytë në Vushtrri. I pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë dhe kryetari i LV-së, Albin Kurti.
Për këtë koalicion ka reaguar LDK e cila ka thënë se një gjë e tillë është bërë pa miratim të kryesisë dhe se qëndrimi i Tahirit është individual.