IKD-ja kërkon llogari për vdekjen në Ujman: Ligji obligonte ndalimin ose jo të larjes nga qytetarët aty

30 korrik 2025 | 16:24

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar llogari nga institucionet e Kosovës në lidhje me vdekjen e 35-vjeçarit në liqenin e Ujmanit.

Ky institut ka bërë me dije se sipas Ligjit për Ujërat e Kosovës, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, komunat dhe kompanitë e ofrimit të shërbimeve të ujit, me akt nënligjor cakton zonat për larje.

“Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 20/2015 për kriteret për zonat për larje, IKD-ja ka theksuar se ky obligim është dashur që të përmbushet më së largu deri në vitin 2018. Përcaktimi i një zone të caktuar për larje, sipas këtij Udhëzimi Administrativ, tërheq pas vetës obligimin e ndërmarrjes së nëntë (9) masave menaxhuese. Përkitazi me këtë obligim, deri më tani, nuk ka asnjë njoftim publik nëse institucionet kompetente e kanë caktuar liqenin e Ujmanit si zonë për larje. Për më tepër, nuk ekzistojnë njoftimet nëse larja në këtë zonë është e lejuar apo e ndaluar. Ndërkaq, situata faktike është se tash e një kohë ky liqen është duke u përdorur për larje nga qytetarët”, është thënë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas IKD-së, “institucionet e Republikës së Kosovës në vend të përmbushjes së obligimeve ligjore përkitazi me caktimin e zonave për larje dhe ndërmarrjen e masave menaxhuese, siç kërkohet me Ligj dhe Udhëzim Administrativ, kanë proklamuar liqenin si zonë për larje”.

“Zyrtarë qeveritarë, përfshirë deputetë dhe ministra, kanë shkuar vet në liqenin e Ujmanit dhe kanë shpërndarë publikisht pamje të njerëzve që lahen në liqenin e Ujmanit, duke e paraqitur atë si vend të pushimit dhe duke lënë të nënkuptohet për qytetarët se kjo është zonë për larje. Liqeni i Ujmanit shërben si një nga burimet më të rëndësishme të ujit të pijshëm në Kosovë, duke furnizuar me ujë të pijshëm një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2017 për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare të burimeve të ujit [neni 9.2], liqenet dhe akumulimet kategorizohen si burime ujore sipërfaqësore. Ky Udhëzim Administrativ, në asnjë nen të tij, nuk përcakton dispozita që lejon larjen e qytetarëve. Përkundër kësaj, përfaqësuesit institucional vazhdimisht kanë proklamuar Liqenin e Ujmanit si vend të lejueshëm për larje, derisa raportimet ishin se Policia e Kosovës ruante qytetarët teksa laheshin në liqenin e Ujmanit”, është thënë në këtë reagim.

Në gjithë këtë situatë, duke qenë në fuqi Ligji për ujërat dhe udhëzimet relevante administrative, mos përmbushja e këtyre veprimeve, sipas IKD-së mund të implikojë edhe përgjegjësinë e institucioneve publike në vdekjen tragjike të 27 korrikut.

“Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ), neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i obligon shtetet jo vetëm që të përmbahet nga marrja e jetës ‘qëllimisht’, por edhe të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës së personave që janë nën juridiksionin e tyre (Shih rastin: GjEDNj, Kalender v. Turkey, 2009, par.42). Në rastin konkret, mos përmbushja e obligimeve ligjore nga institucionet, promovimi i Liqenit të Ujmanit si zonë për larje, mungesa e sinjalistikës për ndalimin e larjes dhe mos reagimi institucional, mund të ishin faktorë drejt vdekjes tragjike të 27 korrikut. Në kuptim të jurisprudencës së GjEDNj, këto mos veprime mund të rezultojnë në shkelje të së drejtës në jetë në raport me qytetarin që humbi jetën tragjikisht dhe mund të rezultojnë në rrezik të përgjithshëm për qytetarët e tjerë”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Përballë të gjitha këtyre rrethanave, IKD-ja ka kërkuar që të iniciohet menjëherë një hetim institucional lidhur me moszbatimin e obligimeve ligjore dhe lejimin e shfrytëzimit të liqenit të Ujmanit si zonë për larje, që kulmoi me vdekjen tragjike të 27 korrikut. “IKD-ja gjithashtu kërkon që të ndalet komunikimi i papërgjegjshëm publik nga zyrtarët që promovojnë larjen apo hedhjen në këto zona pa vlerësim të rrezikut dhe pa sinjalistikë adekuate. Në anën tjetër, Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së shpreh vullnetin, gatishmërinë dhe përkushtimin e plotë që t’u ofrojë familjarëve të të ndjerit ndihmë juridike falas në kuptim të ndjekjes së rrugëve ligjore për konstatimin e shkeljes së të drejtës në jetë ndaj të ndjerit”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bellinzona ka zyrtarizuar nënshkrimin e sulmuesit shqiptar Armando Sadiku për…