IKD-ja: Mosorganizimi i provimit të jurisprudencës shkel ligjin dhe cenon të drejtat e kandidatëve

30 janar 2026 | 11:07

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Ministria e Drejtësisë (MD) e ka shkelur Ligjin për Provimin e Jurisprudencës dhe ka cenuar të drejtat e kandidatëve duke mos e organizuar mbajtjen e këtij provimi.

Në reagimin e IKD-së është thënë se ligji e përcakton që provimi duhet të organizohet nga Ministria tri herë brenda një viti kalendarik.

Sipas IKD-së, hera e fundit kur Ministria e Drejtësisë ka organizuar Provimin e Jurisprudencës ka qenë afati i prillit 2025.

“Gjatë gjithë vitit 2025, MD-ja ka organizuar vetëm këtë afat të provimit, duke mos përmbushur detyrimin ligjor për organizimin e tij në tri afate brenda vitit kalendarik. Në këtë mënyrë, deri më tani, janë të paktën dy (2), e potencialisht edhe tri (3), afate gjatë të cilave Ministria e Drejtësisë ka qenë e obliguar të organizojë Provimin e Jurisprudencës, por që nuk i ka realizuar”,  është thënë në reagimin e IKD-së.

Më tutje, IKD-ja ka theksuar kjo përveçse është shkelje e ligjit cenon edhe të drejtat e kandidatëve.

“Përtej shkeljes së ligjit, kjo situatë cenon të drejtën në karrierë të juristëve të rinj, të cilët kanë pritje legjitime që procesi i Provimit të Jurisprudencës të organizohet në përputhje me afatet ligjore. Në rrethanat aktuale, kandidatët nuk kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij procesi, duke u pamundësuar avancimi në karrierë dhe, potencialisht, duke u humbur atyre mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi profesional”, është thënë në reagim, duke shtuar se një kategori tjetër e personave të prekur janë kandidatët që kanë mbetur në riprovim.

“Përkundër faktit se këta kandidatë e kanë kaluar pjesën me shkrim të provimit, disa prej tyre kanë mbetur në riprovim në një ose më shumë lëndë. Për shkak të mosorganizimit të Provimit të Jurisprudencës, këta kandidatë e kanë të pamundur ta finalizojnë këtë proces, duke u shkaktuar vonesa dhe dëme të drejtpërdrejta në avancimin e tyre profesional”, është thënë në reagimin e IKD-së.

IKD-ja i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë menjëherë dhe të organizojë Provimin e Jurisprudencës, siç thuhet, në përputhje të plotë me obligimet ligjore, duke respektuar ligjshmërinë dhe të drejtat legjitime të kandidatëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ProCredit Superliga në fundjavë premton ndeshje shumë interesante. Java e…