IKD: Moskonstituimi i Kuvendit rrezikon bllokimin e institucioneve të pavarura

07 korrik 2025 | 11:53

Gjatë Legjislaturës VIII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka pasur ngecje serioze në procesin e emërimit të organeve kolegjiale dhe individuale që Kuvendi ka për detyrë t’i emërojë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të veçanta. Gjatë kësaj periudhe, me dhjetëra institucione janë bërë jofunksionale ose kanë mbetur me mungesë të anëtarëve përkatës, si pasojë e mosveprimit të Kuvendit dhe vonesave të Qeverisë për propozimin e tyre.

Kuvendi, edhe pse në disa raste ka zbatuar me përpikëri procedurat e parapara, në fund ka dështuar që këto emërime të bëhen me kohë dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore. Si pasojë, këto organe mbetën pa anëtarë. Në të njëjtën kohë, Qeveria nuk tregoi kujdes për të bërë propozimet brenda afateve të parapara dhe për të garantuar që këto pozita të mos mbushen me persona me lidhje politike apo partiake.

Përgjegjësia kryesore për këtë situatë i takon shumicës parlamentare të legjislaturës së kaluar, e cila, ndonëse kishte fuqinë për t’i realizuar këto emërime, zgjodhi të mos veprojë, duke lënë pas dore dhe neglizhuar obligimet kushtetuese dhe ligjore.

Mos-efikasiteti dhe dështimi për t’i emëruar anëtarët në këto organe në kohë, është bartur në Legjislaturën IX, e cila nuk është duke u konstituar që nga data 15 prill 2025, duke e bllokuar kështu tërësisht funksionimin kushtetues dhe ligjor të institucioneve që për përbërjet e tyre varen nga vota e Kuvendit. Pasojat e moskonstituimit janë tashmë të dukshme në mosfunksionimin e disa organeve dhe do të bëhen edhe më të qarta në muajt e ardhshëm, për shkak të skadimit të mandateve të tjera.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka identifikuar një numër institucionesh dhe agjencish të pavarura që tashmë funksionojnë me vështirësi të theksuara dhe të tjera janë në prag të jofunksionalitetit institucional për shkak të mungesës së konstituimit të Kuvendit dhe dështimit për të përmbyllur procedurat e domosdoshme të emërimeve.

Lista e institucioneve që po funksionojnë me mungesa të anëtarëve ose janë jofunksionale për shkak të mosveprimit të Kuvendit:

  1. Gjykata Kushtetuese – Dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese nuk janë përzgjedhur në fund të vitit 2024 nga Kuvendi.
  2. Organi Shqyrtues i Prokurimit – Pozita e Kryetarit të Bordit është e zbrazët pas dorëheqjes më 12 gusht 2024.
  3. Institucioni i Avokatit të Popullit – Katër zëvendësavokatëve të Popullit u ka përfunduar mandati më 14 qershor.
  4. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës – Sipas Ligjit të ri, duhet të emërohen edhe 10 anëtarë të rinj.
  5. Agjencia Kosovare e Pronës – Komisioni për Verifikim dhe Vendosje për Prona – Duhet të plotësohet me 2 anëtarë vendor.
  6. Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës – Dy pozita janë të paplotësuara: përfaqësuesi i punëtorëve dhe ai nga bizneset.
  7. Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare – Mungon një anëtar që duhet emëruar nga Kuvendi pas propozimit të Qeverisë.
  8. Komisioni i Pavarur për Media (KPM) – Mungojnë pesë anëtarë; Komisioni mbetet jofunksional.
  9. Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës – Mungojnë 2 anëtarë pas dorëheqjeve me shkrim.
  10. Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave – Mungojnë 4 anëtarë; ARrH është jofunksional.
  11. Bordi Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit – Mungojnë 7 anëtarë; bordi është jofunksional.
  12. Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit – Në mungesë të Kryesuesit.
  13. Bordi i Ndërmarrjes Publike KOSTT SH.A – Në mungesë të dy anëtarëve që duhet të emërohen duke respektuar kuotën gjinore.
  14. Komisioni për Ndihmë Shtetërore (KNSH) – Në procedurë ka ngelur zgjedhja e kryesuesit dhe 4 anëtarëve të KNSH.
  15. Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale – Duhet të zgjedhen 2 anëtarë pas propozimit të Qeverisë.
  16. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik – Duhet të emërohet Kryesuesi i KRPP-së.
  17. Bordi i Ankesave në KPM – Në mungesë të dy anëtarëve; bordi mbetet jofunksional.

Po ashtu, disa mandate janë në përfundim e sipër brenda këtij viti:

  1. Avokatit të Popullit do t’i përfundojë mandati më 28 shtator.
  2. Gjashtë anëtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit do t’u përfundojë mandati më 6 gusht.
  3. Pesëmbëdhjetë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës pritet t’u skadojë mandati në nëntor të këtij viti.

Moszgjedhja e anëtarëve në organet e pavarura cenon rëndë funksionalitetin institucional dhe sundimin e ligjit në vend. Mungesa e kuorumeve të nevojshme për vendimmarrje i bën këto institucione të paafta për të ushtruar kompetencat e tyre ligjore, duke krijuar vakum institucional dhe rrezikuar zbatimin efektiv të ligjeve. Kjo situatë çon në vonesa në ofrimin e shërbimeve publike, ndërprerje të mbikëqyrjes institucionale dhe dobësim të llogaridhënies në sektorët më të ndjeshëm për qytetarët.

Përveç pasojave funksionale, kjo gjendje cenon besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe dëmton rendin demokratik në vend. Mospërmbushja e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë krijon precedent të rrezikshëm për mosrespektimin e shtetit të së drejtës dhe e bën të pamundur funksionimin e ekuilibruar të sistemit institucional.

IKD kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës të konstituohet menjëherë, pa vonesa të mëtejshme, dhe të fillojë përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për emërimin e anëtarëve në institucionet e pavarura, si hap i domosdoshëm për rikthimin e rendit institucional dhe rifitimin e besimit të qytetarëve në sistemin publik.

Shteti nuk guxon të mbetet në pauzë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri e…