IKD reagon ndaj shkarkimit të Zv. Sekretarit dhe përpjekjeve arbitrare për anulimin e procesit të emërimit të Sekretarit të Kuvendit

04 mars 2026 | 20:04

IKD nga burime brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës ka kuptuar se sot, në ditën kur pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e Presidentit/es së Kosovës, Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, është shkarkuar në mënyrë arbitrare nga pozita e tij.

Sipas informacioneve të siguruara nga IKD, në mbledhjen e së hënës (2 mars 2026) të Kryesisë së Kuvendit ishte në rend dite edhe pika për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Nga kjo mbledhje, Kryetarja e Kuvendit ka tentuar t’i bindë edhe nënkryetarët e tjerë që të bëhet anulimi i konkursit për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm.

Burimet e IKD bëjnë të ditur se z. Loshi është kandidati që ka marrë më së shumti pikë nga procesi i përzgjedhjes i zhvilluar nga Komisioni për Rekrutim, në përbërje të të cilit ka pasur edhe ekspertë të pavarur. Ky proces është monitoruar gjithashtu nga projekti i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Procesi i përzgjedhjes ka përfunduar ne muajin Dhjetor 2024 dhe nga ai moment pritej vetëm emërimi i tij në pozitën për të cilën ishte përzgjedhur. Ndërsa, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) e ka njoftuar Kuvendin se për këtë proces, ku z. Loshi është kandidati me më së shumti pikë (99.2 nga 100 pikë), nuk është paraqitur asnjë ankesë dhe se procedura është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Në këtë kontekst, vendimi për shkarkimin e z. Loshi nga pozita e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm vjen si një zhvillim i papritur dhe i pashpjeguar.

Për këto arsye, IKD do të kërkojë qasje në transkriptin dhe procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, me qëllim që të kuptojë dhe të informojë publikun lidhur me arsyet e anulimit të procesit të emërimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Njëkohësisht, IKD e konsideron veçanërisht shqetësuese mënyrën dhe kohën e zëvendësimit të z. Loshi nga pozita e tij, duke pasur parasysh se ky veprim ndodh pikërisht në ditën kur pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e Presidentit/es së Kosovës. Në këtë proces, Sekretari i Kuvendit është personi përgjegjës për përgatitjen dhe hartimin e procedurës së votimit, çka e bën këtë zhvillim edhe më problematik nga aspekti institucional dhe procedural.

Në fund, IKD u bën thirrje nënkryetarëve të Kuvendit, të cilët së bashku me Kryetaren Albulena Haxhiu përbëjnë Kryesinë e Kuvendit, që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të procedojnë me përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, në përputhje me raportin e dërguar Kryesisë nga Komisioni për Rekrutimin e Sekretarit të Përgjithshëm, sipas ligjit per zyrtarët publik dhe të përmbahen nga propozimet e kundërligjshme për anulimin e konkursit. Kjo është e domosdoshme për të garantuar integritetin e procesit të rekrutimit dhe respektimin e parimeve të meritokracisë dhe ligjshmërisë në administratën publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesi i klubit basketbollistik “Istogu”, që garon në Ligën e…