IKD reagon ndaj sulmeve të Qeverisë në detyrë kundrejt gjyqësorit pas vendimit të Gjykatës Supreme

16 korrik 2025 | 13:53

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e konsideron krejtësisht të papranueshëm reagimin e Qeverisë në detyrë kundër aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës me të cilin është vendosur se Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, është i paligjshëm dhe ka vendosur për shfuqizimin e tij.

Sipas një njoftimi për media nga IKD thuhet se kundërshtimi publik i një aktgjykimi të instancës më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv, jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por është shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themeli i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar po ashtu integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional.

“Për më tepër, IKD e konsideron tejet të rrezikshme qasjen e z. Hekuran Murati, duke etiketuar gjyqtarët e Gjykatës Supreme me emër dhe mbiemër. Kjo qasje përveç që cenon integritetin e sistemit gjyqësor, përbën rrezik edhe për sigurinë individuale të gjyqtarëve të përmendur. Reagimet e Qeverisë në detyrë dhe anëtarëve të tjerë të saj, përbëjnë një presion të panevojshëm ndaj gjyqësorit, që cenon pavarësinë institucionale dhe përpjekjet për ndërtimin e një drejtësie të paanshme. IKD rikujton se besimi në sistemin gjyqësor ndërtohet me respektimin e vendimeve të tij, jo me delegjitimimin publik nga zyrtarët politikë”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Supreme krijon një precedent të rëndësishëm për të ndalur ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe për të vendosur një standard të ri në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në praktikë.

“IKD vlerëson se Gjykata Supreme me të drejtë ka vendosur se nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Kësisoj, udhëzimi administrativ është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar, pasi është ndërmarrë nga një zyrtar pa mandat të vlefshëm dhe në papajtueshmëri të qartë funksionale. IKD fton të gjithë përfaqësuesit institucionalë që të respektojnë integritetin e vendimeve gjyqësore dhe të përmbahen nga çdo veprim apo deklaratë që synon të ulë autoritetin e gjykatave. Vetëm përmes një gjyqësori të pavarur dhe funksional mund të garantohet siguria juridike dhe sundimi i ligjit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Kosova Düsseldorf ka filluar përgatitjet për edicionin e ri…