IKShPK-ja: 17 raste me fruth janë konfirmuar në Kosovë, të gjithë të pavaksinuar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 maj 2026 janë konfirmuar 17 raste me fruth në Kosovë.
Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK-ja, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me gjashtë raste, pasuar nga Prishtina me katër raste dhe Kaçaniku me tre raste. Nga një rast është raportuar edhe në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Shtime.
Instituti thekson se të gjitha rastet e konfirmuara kanë qenë tek persona të pavaksinuar me vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubellës. “Të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi”, thuhet në njoftim.
IKShPK-ja u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të kryejnë vaksinimin në qendrat e mjekësisë familjare. “Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKShPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre”, thuhet më tej.
Instituti ka rekomanduar gjithashtu shmangien e kontakteve me persona që shfaqin simptoma si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë, ndërsa personat me simptoma të dyshimta duhet të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
Sipas IKShPK-së, në terren po zbatohen masa konkrete për menaxhimin e situatës, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin e prindërve dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinim, veçanërisht në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit.
“Vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, ka rikujtuar IKShPK-ja.



