IKShPK-ja, qytetarëve: Mos lejoni mbylljen e të gjithëve për pakujdesin e disave!

06 nëntor 2020 | 15:38

Pas rritjes enorme të rasteve të reja me Covid, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që  t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Mos lejoni mbylljen e të gjithëve për pakujdesin e disave! Kudo që vëreni persona që nuk i përmbahen rekomandimeve, i këshilloni!  Këshillimi është obligim qytetar! Ju lutemi për kujdes të shtuar! Virusi është kudo! Virusi vret! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Mos e nënvlerësoni virusin!”, është thënë në reagimin e IKShPK-së. Ky institut ka theksuar se pakujdesia na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale.

“Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të pa përgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: maska, distanca, higjiena! Sot janë konfirmuar 728 raste të reja me COVID-19 si shkak i pakujdesisë tonë. Ky është numër rekord deri tani. Numri i rasteve javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.

Ju lutemi të keni kujdes në mbajtjen e maskave, mbani distancë dhe higjienën personale.  Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, është thënë në këtë reagim, duke shtuar se pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit, përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në vendin tonë.

“Dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve. Apelojmë te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjenci, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, supermarketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës. Si pasojë e mosbartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”, është thënë në reagimin e IKShPK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Blerim Latifi - Përplasja ndërfetare midis shqiptarëve ka qenë…