IKShPK-ja raporton për 9 raste të fruthit në Kosovë

14 maj 2025 | 16:34

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se brenda 8 ditëve në Kosovë janë raportuar raste të fruthit.

IKShPK-ja ka bërë me dije se rastet kanë ndodhur në Ferizaj, Shtime, Lipjan, Graçanicë dhe Fushë – Kosovë.

Sipas këtij instituti, rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë-Kosovë. Sipas grup-moshave, rastet e raportuara janë: 7 raste të moshës 1-2 vjeç dhe 2 raste të moshës 4-5 vjeç. Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta). IKShPK-ja tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të ‘importuara’, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit”, është thënë në komunikatën e IKShPK-së.

Nder të tjera, instituti ka dhënë edhe detaje tjera rreth kësaj sëmundje.

“IKShPK-ja ua rikujton prindërve se fruthi është sëmundje shumë serioze, 6 herë më ngjitëse se gripi dhe se 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore si infeksion të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe vdekje. Më të rrezikuarit nga fruthi janë fëmijët e pavaksinuar nën moshën 5-vjeçeare”, ka njoftuar IKShPK-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City edhe zyrtarisht është në negociata me mesfushorin e…