
IKSHPK-ja, subjekteve politike: Ndaloni tubimet me qytetarë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka theksuar se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës.
IKSHPK-ja apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e këtij virusi.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së Covid-19 dhe vdekshmërisë së lartë, në veçanti, bëjmë thirrje për ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim”, thuhet në mesazhin e IKSHPK-së.
Ky institut u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, përkatësisht Policisë së Kosovës dhe inspektorateve përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës sipas rekomandimeve të IKSHPK.
“Qytetarë të nderuar! Ju lutemi për kujdes të shtuar! Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit: Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën! VAKSINOHUNI!”, thuhet në thirrjen e IKSHPK-së.