IKShPK-ja: Uji i pijshëm nga liqeni Badoci tani i sigurt për konsum
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të turbullirës.
“Analizat laboratorike të realizuara gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e IKShPK-së, tregojnë se vlerat e turbullirës dhe gjithë parametrave të tjerë (bakteriologjikë dhe fiziko – kimik) janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 – ‘Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu’. Bazuar në këto rezultate laboratorike dhe në përputhje me UA 10/2021, uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije”, ka njoftuar IKShPK-ja.
IKShPK-ja ka theksuar se në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët.



