
IKShPK-ja: Uji nga liqeni i Badocit është i sigurt për pije
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të manganit.
“Analizat laboratorike të realizuara gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e parametrave bazik dhe Laboratorin analitik – ICPMS tregojnë se vlerat më të larta të përqendrimeve të manganit në këtë zonë kanë variuar nga 0.012 mg/l deri në 0.037 mg/l, duke qenë të gjitha brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 – ‘Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu'”.
“Bazuar në këto rezultate laboratorike dhe në përputhje me UA 10/2021, uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije”, ka njoftuar IKShPK.
IKShPK-ja ka theksuar se në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët.