IKSHPK vazhdon monitorimin e ujit të pijshëm, situata e pandryshuar në disa rajone
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, ka njoftuar se po vazhdon monitorimi i rregullt i cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas rezultateve të analizave të realizuara më 15 janar 2026, situata me ujin e pijshëm mbetet e pandryshuar në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës.
Megjithatë, ndryshime janë evidentuar në rajonet e Gjilanit dhe Pejës. Në rajonin e Gjilanit, në zonën e Kamenicës – Stacioni nr. 1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për konsum. Ndërkaq, në Stacionin e pompimit nr. 2, Bahqja dhe në fshatin Berivojcë, janë vërejtur vlera të rritura të nitrateve mbi kufijtë e lejuar, prandaj uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.
Në rajonin e Pejës, në qytetin e Pejës, si dhe në komunat Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit të pijshëm është brenda standardeve të lejuara. Përjashtim bën Komuna e Klinës, ku furnizimi nga rrjeti i puseve dhe nga burimi i Jarinës paraqet vlera të rritura të turbullirës, ndaj uji nuk rekomandohet për pije, ka njoftuar IKSHPK. \Bleona Potoku\
Njoftimi i plotë: https://www.facebook.com/share/p/14LvHbcX8eC/



