Ilir Ibrahimi: Dënimi i udhëheqësve të UÇK-së nënkupton edhe dënim të Amerikës
Njohësi i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, ka komentuar dëshminë e Christopher Hill.
Ai ka shkruar në “Facebook” se dëshmitë e ish-zyrtarëve amerikanë në Hagë po dërgojnë një mesazh të qartë mbi përfshirjen dhe rolin e administratës amerikane gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.
“A do ta lejojë ShBA që të njolloset roli i saj, në një ndër intervenimet më të suksesshme politiko-ushtarake të shekullit të kaluar? Dëshmitë e ish-zyrtarëve amerikanë në Hagë po dërgojnë një mesazh të qartë mbi përfshirjen dhe rolin e administratës amerikane gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë. Këta zyrtarë kanë qenë zbatues të drejtpërdrejtë të politikës amerikane të asaj kohe, dhe fakti që po dëshmojnë sot me miratimin e administratës aktuale, tregon për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj politike. Prania e përfaqësuesve të Ambasadës së ShBA-së në seancat gjyqësore është dëshmia më e qartë e kësaj përkrahjeje institucionale”, ka shkruar ai.
Ibrahimi ka theksuar se nga këto dëshmi, bëhet e qartë se administrata amerikane ka luajtur një rol kyç në zhvillimet e asaj periudhe dhe se edhe sot qëndron fuqishëm pas asaj përfshirjeje dhe qëndrimi politik.
“Sfidimi i pikave kryesore të aktakuzës së prokurorisë, forcon edhe më tej faktin se administrata amerikane ka përkrahur një luftë të drejtë, ndërsa pretendimet e prokurorisë rezultojnë të pabazuara. Me këtë qëndrim, administrata amerikane nuk po mbron vetëm pastërtinë e luftës së UÇK-së, por edhe vetë rolin e saj në arritjen e rezultateve të asaj lufte. Nëse drejtësia do të vendosë me paanësi, gjykata duhet të arrijë në të njëjtin përfundim: dënimi i disa udhëheqësve të UÇK-së do të nënkuptonte jo vetëm dënimin e vetë UÇK-së, por edhe të aleatit të saj kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Ibrahimi.



