Ilir Kulla në KTV: Duhet të jemi gati, Serbia po investon në mbrojtje si të ishte në luftë

05 janar 2026 | 00:02

Analisti Ilir Kulla gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me Veton Surroin ka theksuar se Serbia po rrit ndjeshëm buxhetet dhe investimet në mbrojtje, duke vepruar “si një vend që është realisht në luftë”.

Sipas tij, kjo situatë nuk mund të injorohet nga Kosova, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se Serbia jo vetëm që nuk e njeh shtetin e Kosovës, por po investon më shumë në mbrojtje sesa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku, përfshirë edhe ato që janë anëtare të NATO-s (Kroacia e Shqipëria), shkruan KTV.

Surroi e vendosi diskutimin në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, duke theksuar se bota po rikonfigurohet në mënyrë dramatike: Lindja e Mesme, marrëdhëniet Rusi–Perëndim, Euroazia dhe vetë bota euroatlantike. Ai nënvizoi se nuk mund të merret më si e mirëqenë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të garantojnë sigurinë evropiane pa kushte dhe pafundësisht.

Duke folur për Kosovën, Kulla ka thënë se vendi duhet të jetë i përgatitur për të gjitha skenarët, duke kujtuar sulmin në Banjskë dy vjet më parë dhe se, pa ndërhyrjen e Perëndimit, situata mund të kishte përshkallëzuar në hyrjen e forcave serbe. E Surroi e cilësoi raportin Kosovë–Serbi si një “luftë të papërfunduar”. Sipas Kullës, Kosova ka detyrim strategjik të investojë fuqishëm në mbrojtje, duke përmendur nevojën për rreth një miliard euro në vit për disa vite me radhë, për kapacitete të këmbësorisë, mbrojtjes ajrore, forcave ajrore, teknologjisë informative dhe inteligjencës civile e ushtarake. Ai theksoi se kjo nuk është çështje dëshire politike, por domosdoshmëri për sigurinë kombëtare.

Në pjesën e dytë të diskutimit, Kulla ngriti çështjen e një Plani B për shqiptarët, në rast se procesi i integrimit evropian dështon. Ai vuri në dukje se nisma si “Ballkani i Hapur”, ndryshimi i kufijve dhe edhe Procesi i Berlinit nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Si alternativë, Kulla përmendi idenë e një konfederate ndërshqiptare, që do të ruante autonominë e secilës palë, por do të forconte mbijetesën dhe sigurinë kolektive.

Surroi shtoi se shpresa mbetet integrimi në BE, por paralajmëroi se realiteti gjeopolitik kërkon mendim strategjik afatgjatë dhe përgatitje për skenarë të ndryshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fjolla Ujkani ka qenë deputetja më e votuar ndër kandidatët…