
Ilir Murtezaj përfundon rrugëtimin e tij në ATK
Drejtori i deritashëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka bërë publik vendimin e tij personal për t’u larguar nga institucioni ku ka punuar që nga viti 2001.
“Të nderuar kolegë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, pas më shumë se dy dekadash shërbimi në Administratën Tatimore të Kosovës, dëshiroj të ndaj me ju se kam përfunduar rrugëtimin tim profesional brenda këtij institucioni, të cilin e fillova në vitin 2001 si inspektor tatimor dhe e përfundova me nder dhe përgjegjësi si Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës”, ka shkruar Murtezaj në njoftimin e tij.
Njoftimi i plotë:
Të ndëruar kolegë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, pas më shumë se dy dekadash shërbimi në Administratën Tatimore të Kosovës, dëshiroj të ndaj me ju se kam përfunduar rrugëtimin tim profesional brenda këtij institucioni, të cilin e fillova në vitin 2001 si Inspektor tatimor dhe e përfundova me nder dhe përgjegjësi si Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës.
Ishte një udhëtim i gjatë, me shumë sfida, mësime dhe suksese të përbashkëta. Kam pasur privilegjin të jem pjesë e një institucioni kyç për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe të punoj me profesionistë të përkushtuar që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për ndërtimin dhe forcimin e sistemit tatimor në Kosovë.
Në mandatin tim si Drejtor i Përgjithshëm kemi zhvilluar shumë reforma dhe kemi shënuar shumë rezultate, të cilat reforma dhe rezultate u vlersuan nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, ku si kulm i vlersimeve pozitive është Raporti i FMN-së i publikuar në Janar/2025, ku ATK-ja në 7 nga 8 indikatorët matës është shumë më mirë se vendet ne zhvillim (përfshi vendet e Ballkanit) dhe në 5 nga 8 indikatorët matës të krahasohet me vendet e zhvilluara (përfshi vendet e BE-së)!
Me poshtë po evidentoj vetem disa nga të arriturat kyçe:
* Ngritja e vlerësimit te institucionit të ATK-së, nga një institucion i krahasuar vetem me vendet e rajonit, tanimë ATK-ja konsiderohet institucion i modernizuar dhe i krahasuar me vendet e zhvilluara (vendet e BE-së),
* Ma teper se dyfishim i rritjes se te hyrës nga 456 mil euro sa ishin ne vitin 2018, në mbi 952 mil euro ne vitin 2024!
* Ngritje e inkasimit te borgjeve tatimore, nga 94 mil euro sa ishin ne vitin 2018, në mbi 220 mil euro në vitin 2024!
* Rritje e bizneseve qe paguajnë tatime, nga 49 mijë sa ishin ne vitin 2018, në mbi 66 mijë ne vitin 2025!
* Përmisim i dukshëm i integritetit te institucionit, duke shënuar rënje te percepcionit te publikut per korrupsion nga 35.3% sa ishte në vitin 2019, në 17.1% ne vitin 2024 (Raporti i UNDP, i publikuar korrik/2024). Ky permisim është si rezultat i vendosjes se mekanizmave të fortë të kontrollit, për ngritje të llogaridhënjës dhe përgjegjësis së stafit!
Në aspektin personal ndihem i përmbushur dhe shumë krenar për të gjitha këto suksese, dhe që faqebardh po perfundoj një kapitull te karrieres sime profesionale, duke hyrë i vetmuar ne dyert e ATK-së në vitin 2001, dhe duke dale me plotë miq dhe bashkëpuntor në vitin 2025!
Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe – kolegët, bashkëpunëtorët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe qytetarët dhe bizneset me të cilët kemi ndarë një vizion të përbashkët për një Kosovë më të drejtë, më transparente dhe më të zhvilluar ekonomikisht.
Me përfundimin e këtij kapitulli, mbetem i hapur për angazhime të reja profesionale dhe shpresoj që përvoja dhe njohuritë e fituara gjatë këtyre viteve do të vazhdojnë të jenë në shërbim të vendit tim.
Me respekt dhe mirënjohje,
Ilir Murtezaj