Ilir Shaqiri lanson këngën kushtuar heroinës Mervete Maksutaj (video)

15 mars 2022 | 12:10

Këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri, ka lansuar këngën për heroinën e Kosovës, Mervete Maksutaj.

Myrvetja ra heroikisht më 4 dhjetor të vitit 1998 në oborrin e Spitalit të Pejës.

Ushtarja e UÇK-së, Mervete Maksutaj, se bashku me bashkëluftëtarin Besnik Shala kishin marrë përsipër edhe misionin për lirimin nga duart e armikut të disa bashkëluftëtarëve të saj, të cilët, pas plagosjes në betejë me trupat serbe, kohë më parë, ishin kapur nga këta trupa dhe ishin dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku po mbaheshin nën mbikëqyrje policore. Në mesin e këtyre bashkëluftëtarëve ishin Afërditë Zekaj, Naim Lushaj e të tjerë. Më parë, Mervetja e kishte përgatitur terrenin për lirimin e këtyre bashkëluftëtarëve, duke i njoftuar ata për planin, në mënyrë që të qëndronin në gjendje gatishmërie. Atë ditë dimri, Mervetja ngjesh armët, bombë e revole, dhe niset në aksion. Si stërmbesë e vërtetë e Shotës, pa iu trembur syri fare, ajo sulmon rojën policore në hyrjen kryesore të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, me ç’rast arrin të depërtojë te roja tjetër policore në korridorin e katit të dytë ku ndodheshin të shtrirë bashkëluftëtarët e saj.

Mervetja sulmon, sakaq, policinë me bombë dore, por pastaj edhe me revole. Aty zhvillohet një dyluftim i vërtetë, ndërkohë që disa prej të plagosurve të arrestuar arrijnë të dalin nga Spitali. Gjurmët e shpërthimit dhe gjaku i mbetur në korridorin e këtij spitali, të cilat janë parë më vonë nga dëshmitarët, kanë dëshmuar se Mervetja kishte vrarë disa policë serbë, kurse vetë kishte arritur të tërhiqet dhe të dalë nga Spitali duke shpërthyer edhe rrethimin policor të organizuar në korridorin e katit të dytë. Mirëpo, ndërkohë që ajo kishte mësyrë të tërhiqej në drejtim të Grykës së Rugovës, armiku i alarmuar kishte organizuar pritën tjetër në oborrin e Spitalit.

Në tërheqje e sipër, disa dhjetëra metra larg udhëkryqit të Spitalit, Mervetja goditet në ballë nga një plumb i armikut dhe aty bie në fushën e nderit, pa rënë e gjallë në duart e tij. Mbrëmjen e asaj dite mjetet serbe të propagandës, aksionin e Mervetes e përshkruan si një sulm të paparë “terrorist”, që i kishte tmerruar forcat e pushtuesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian (BE), Josep…