Imazhi i ri i ‘Adidas Predator’, Jude Bellingham: Dua të jem Zidani i ri i Realit

15 dhjetor 2023 | 11:20

Jude Bellingham është tashmë një ikonë e futbollit botëror. Dhe, si i tillë, marka “Adidas” ka zgjedhur atë si imazhin e linjës së saj më përfaqësuese të atleteve të futbollit, “Predator”.

Yjet britanikë si Stiven Gerard dhe David Beckham kanë qenë më parë imazh i këtyre atleteve që dje festuan 30- vjetorin e tyre, ndonëse Bellingham nuk ka frikë ta thotë hapur se përfaqësuesi më i mirë i tyre është njeriu i siluetave spektakolare: “Kur shoh këto atlete më vjen në mendje vetëm Zinedine Zidane, një nga mesfushorët më të mirë në histori.

Kishte veshur ‘Predatorët’ në finalen ndaj Leverkusenit, me atë gjuajtje volej spektakolare dhe unë shpresoj shumë që të vazhdoj ta ruaj trashëgiminë e tij.

Këtë e them jo vetëm pse sot jam këtu si imazh i këtyre atleteve, apo si lojtar i Realit të Madridit, por edhe si trashëgimtar i numrit që ai mbante në fanellë”. Por më shumë sesa legjenda franceze, që me Realin fitoi Ligën e Kampionëve qoftë si lojtar, ashtu sikurse si trajner (3 radhazi madje), talenti anglez shënon shumë herë më shumë sesa Zidane.

“Po, shënoj më shumë se ai, të paktën këtë po e bëj shpesh te Reali, por unë shpresoj që falë edhe frymëzimit të këtyre atleteve, edhe unë të kem momentet e bukura që shijoi Zidane, si personale, ashtu sikurse në klub. Zidane ka qenë një frymëzim për mua dhe padyshim tek ai bazohem për t’u përmirësuar çdo ditë e më shumë. Ajo që dua të fitoj është vetëbesimi, motivimi dhe të shmangurit presionin në ndeshjen e mëdha, pasi këto cilësi e bënin Zidanen, apo Gerardin dhe Beckhamin, kampionë absolutë. Kështu që unë, nëse dua që ta arrij nivelin e tyre, duhet të vazhdoj të shtyj sa më shumë. Trofeu ‘Golden Boy’ të jetë vetëm i pari personal i shumë të tjerëve që aspiroj”, ka deklaruar ylli i Realit të Madridit, Jude Bellingham.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kjo javë shënon një moment të rëndësishëm në kalendarin e…