Imer Mushkolaj: Kërkesat për mbylljen e emisioneve televizive janë mendësi totalitare

10 qershor 2026 | 19:10

Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të disa anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të cilët sipas tij kanë lënë të kuptohet për mundësinë e mbylljes së emisioneve televizive për shkak të përmbajtjes kritike ndaj pushtetit.

Përmes një postimi publik, Mushkolaj ka përmendur edhe nënkryetaren e KPM-së, Drita Morina, duke thënë se çdo tentim për mbyllje emisionesh është i papranueshëm dhe nuk do të realizohet.

“Anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), si nënkryetarja Drita Morina, munden edhe t’i shfaqin joprofesionalizmin dhe dëshirën për të mbyllur emisione televizive, siç është ‘Debat Plus’, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë asnjëherë”, ka shkruar Mushkolaj.

Ai ka theksuar se KPM duhet të respektojë procedurat ligjore për trajtimin e ankesave dhe jo, siç u shpreh ai, të kërkojë mbyllje emisionesh për shkak të kritikave politike.

“KPM duhet ta kuptojë se ekzistojnë procedura të qarta ligjore se si adresohen dhe zgjidhen ankesat e palëve”, ka shtuar ai.

Mushkolaj ka përdorur gjuhë të ashpër në reagimin e tij, duke i cilësuar deklarata të tilla si “totalitare dhe të rrezikshme”, ndërsa ka shtuar se “ndonjëherë shpërfaqin edhe budallallëk”.

Në fund të reagimit të tij, ai ka rikujtuar edhe të kaluarën e mbylljes së mediave, duke thënë se një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet më.

“Besoj kjo zonja e mban mend mirë kohën kur janë mbyllur media dhe nga kush janë mbyllur. Ajo kohë nuk do të kthehet kurrë”, ka përfunduar Mushkolaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autori i “Debat Plus”, Ermal Panduri ka njoftuar se Komisioni…