Implikimi i drejtpërdrejtë i shtetit shqiptar në ngjarjet e marsit

21 mars 2021 | 13:01

Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (11)

Shkruan: Bedri Islami

Pas afishimit të qëndrimit të shtetit shqiptar, në Kosovë, pa mëdyshje, kemi dy tablo të ndryshme. Nga njëra anë është ndjenja e madhe e lehtësimit dhe e ripërtëritjes që përshkoi demonstruesit, sidomos të burgosurit politikë, ndërsa nga ana tjetër egërsia e mekanizmave shtetërore. I gjithë mekanizmi i stërmadh titist, në gjashtë republika dhe në dy krahina, u vu në lëvizje. Nuk duhet harruar se ky mekanizëm kishte, asokohe, mbështetje jo të paktë. Jugosllavia e pas Titos, ndonëse e çalë, ende kishte një vello, që kur do t’i hiqej plotësisht, do të dilte në pah gjakimi që ndodhi. Asnjë krijesë e sajuar shtetesh dhe e mbështetur aq verbërisht nuk do të kishte një fund aq të përgjakshëm sa Jugosllavia e Titos. “Plaku”, si e quanin asaj kohe, kishte mbajtur vendin nën vete por, ndërkohë, nacionalizmat kishin mprehur thikat. Shqiptarët nuk do të duhej të bëheshin kurban i këtij gjakimi; në fillimin e gjithçkaje për to ishte e rëndësishme të dihej se, edhe në një moment pashmangshmërisht të vështirë të ardhshëm, do të kishin një mbështetje nga shteti shqiptar.

Është e qartë pse u sulën kundër Shqipërisë gjithfarë robërish sllavë, por më e çuditshme ishte se nuk mbetën pas tyre as çakejtë shqipfolës. Dushan Ristiç thërriste se “kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria” dhe kjo është edhe faza, kur për të disatën herë ngrijnë marrëdhëniet mes dy shteteve. Por njerëzit, besoj, nuk i kanë harruar edhe Kolë Shirokën, Xhavit Nimanin, Fadil Hoxhën, Veli Devën që, si tëpërmjerrur, bridhnin nëpër sallat famëzeza të diferencimit. Pikërisht në atë kohë filloi të merrte “hov” edhe një nga pinjollët më të paskrupullt të titizmit dhe të diferencimit, Azem Vllasi, karriera e të cilit, si rrallëherë, u ngrit mbi gjakun që ishte derdhur në pranverën e vitit 1981, dhe, po ashtu, si rrallëherë, edhe pas kaq vitesh, mbetet në të njëjtën pozitë mjerane dhe diferencuese.

Deri në atë kohë, në shtypin e shtetit shqiptar, ishte bërë kujdes me emrat e politikanëve shqiptarë të Kosovës. Ata, ose nuk përmendeshin ose, përgjithësisht, përmendeshin pa asnjë kontekst, negativ apo pozitiv. Mendohej, në rrethe të ngushta gazetarësh, se kjo vjen nga një lloj nostalgjie e Enver Hoxhës, pasi ata ishin nisur nga vetë ai për të organizuar luftën në Kosovë dhe për të organizuar Konferencën e Bujanit. Nostalgji, që po ashtu nuk ishte edhe shumë e justifikueshme, nëse, njëkohësisht, merrje parasysh edhe të tjera ngjarje. Por, kur filloi debati i madh, kjo tabu u thye dhe, për herë të parë, u bë publike shprehja “një qen serb me emrin Sinan Hasani”.

Për implikimin e drejtpërdrejtë të shtetit shqiptar në ngjarjet e marsit, edhe pas kaq vitesh, nuk është sjellë ndonjë provë konkrete. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur implikim indirekt, përmes një mijë e një gjërave të tjera, si propaganda që bëhej posaçërisht për Kosovën, nëpërmjet radiostacioneve dhe TV Shqiptar, dërgimit të librave dhe kontakteve me njerëz të ndryshëm. Mirëpo, këto nuk përbëjnë fakt dhe nuk janë forcë madhore për të organizuar ngjarjet e pranverës së vitit 1981.

Muajt që kalonin, natyrisht duke mos i lënë asgjë spontanitetit, e bënë edhe më të qartë qëndrimin e shtetit shqiptar.

Më 23 prill, përsëri në “Zërin e Popullit” dhe përmes RTSH, u bë publik artikulli “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë”. Ishte një përshkallëzim i mëtejshëm i qëndrimit të shtetit shqiptar dhe përsëri, për këdo qe e qartë se, në mos në të gjithin, në thelbin e artikullit ishte dora e Enver Hoxhës.

Çfarë kishte të re në këtë qëndrim të afishuar për herë të dytë?

Le të shkëputim tre nga pasazhet më thelbësorë:

– Udhëheqësit jugosllavë, që nga më i madhi deri te më i vogli, pretendojnë se në vendin e tyre për të gjitha kombet dhe kombësitë ekziston “barazia në të drejta politike dhe ekonomike”, ekziston “bashkim-vëllazërimi”. Po si mund të besohen ata, kur një republikë apo një krahinë trajtohet si “djali i nënës” dhe krahina tjetër si “i njerkës”, kur një “vëlla” ha me lugë të artë, kurse tjetri me lugë të vogël prej druri? Kjo nuk tregon as “bashkim”, as “vëllazërim”.

– Dolanci, në intervistën që përmendëm, tha se në demonstratat në Kosovë u vranë 11 veta. Një shërbëtor i tij shqiptar nga udhëheqja e Kosovës tha nëntë. Me sa duket, s’patën kohë të merreshin vesh dhe të binin dakord. Megjithatë, të gjithë gënjyen opinionin botëror dhe atë jugosllav. Por këto më mirë i di vetë populli i Kosovës, pse gjaku i tij u derdh. Ai e di, gjithashtu, pse u derdh ky gjak dhe kush e bëri këtë gjëmë.

– Në rast se në demonstrata ishin pak njerëz, atëherë pse Beogradi dërgoi ushtrinë, milicinë e kryeqytetit, tanket dhe avionët? Përse u vranë dhe u plagosën me armë zjarri aq njerëz dhe përse u vendos shtetrrethimi? Për një “grusht të vogël armiqsh”, për 10-15 veta që u quajtën nga udhëheqja jugosllave “reaksionarë, shovinistë, e irredentistë”?

Vallë për një kokërr limoni prishet dasma, ajo “dasmë”, për të cilën tani nga të katër anët e Jugosllavisë vërshojnë si ujët e Danubit, të Savës dhe të Dravës telegramet plot indinjatë e zemërim kundër “shovinistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, dhe plot himne ditirambike për “unitetin e kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë”?

Me të tilla truke nuk është e lehtë të gënjehet një popull trim e i pjekur, siç është populli shqiptar që jeton në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë, të gënjehen punëtorët, fshatarët, studentët dhe inteligjencia e ndershme, të cilët janë të ndërgjegjshëm për jetën dhe fatin e kombit të tyre.

Kush e ndjell dhe e nxit, pra. armiqësinë në mes popujve të Jugosllavisë? Artikulli i natyrshëm, i drejtë dhe i matur i “Zërit të Popullit”, apo kjo fushatë e tërbuar që ka ngritur udhëheqja e Jugosllavisë kundër popullsisë shqiptare të Kosovës?.

Artikulli i 8 prillit 1981, që ishte edhe shfaqja e parë e qëndrimit politik dhe kombëtar i shtetit shqiptar, ishte pritur padyshim me një ankth të madh nga demonstruesit, dhe secila ditë që kalonte, e shtonte ankthin e pritjes së tyre. Demonstruesit e kishin të qartë dhe e kishin pritur se nga shovinizmi serbomadh dhe pasuesit e tyre në Kosovë do të quheshin, ashtu si u quajtën, “shovinistë, irredentistë, reaksionarë, shqiptaromëdhenj, prishës të bashkim – vllaznimit” etj. etj. Heshtja disaditore e shtetit shqiptar i kishte futur ata në një dyshim tjetër: mos vallë kishin gabuar dhe nuk do e kishin këtë mbështetje, të cilën edhe e pritnin. Thyerja e heshtjes dhe qëndrimi i shtetit amë kishte sjellë qetësinë e pritur të shpirtit të tyre, por njëkohësisht, edhe arrogancën dhe thelbin nacionalist serbomadh. Për shtetin jugosllav dhe sidomos atë serb, qëndrimi i shtetit shqiptar, ashtu si po ndodhte, dhe afishimi i gjendjes së vërtetë në Kosovë, ishin shkaku themelor i ngrirjes së marrëdhënieve dypalëshe, gjë që ishte llogaritur se mund të ndodhte edhe nga Shqipëria, dhe ishin marrë parasysh të gjitha pasojat e mundshme.

Megjithatë shteti shqiptar shkoi edhe më tej në afishimin e qëndrimit të tij. Ndoshta ishte pritur se, në mos një ditë, një ditë tjetër, mendjet e arsyeshme të politikës jugosllave, gjithmonë nëse do të kishte të tilla, do ta kuptonin të vërtetën se përmes gjakut dhe vrasjeve nuk mund të qetësohej gjendja në Kosovë. Kishte qenë një pritshmëri e kotë, ashtu si do të ishte edhe më vonë. Duke mos marrë përsipër rolin primar, strukturat e larta të shtetit, organizuan afishimin dhe mbështetjen e mendimit intelektual shqiptar, në të gjitha organet dhe ne të gjitha strukturat e mundshme. Qëllimi i kësaj fushate nuk ishte thjesht mbështetja e qëndresës që po ndodhte në Kosovë, por edhe dëshmimi historik, moral dhe kushtetues i së drejtës së shqiptarëve në Jugosllavi për të pasur republikën e tyre, si kërkesë themelore e demonstruesve.

Është mëkat i madh dhe faj i jashtëzakonshëm historik,që klasa politike në Kosovë, me përjashtime të rralla, si Pajazit Nushi, Ymer Jaka, Ukshin Hoti, nuk u ngrit, të paktën në nivelin kombëtar të demonstruesve të thjeshtë. Ata u kthyen në pinjollë, herë pas here të neveritshëm, të mbështetjes së masave të jashtëzakonshme dhe dhunës policore që ushtronte Beogradi mbi popullin e tyre. Kjo ishte dhe vazhdon të mbetet njolla më e madhe politike e kësaj klase, e cila, jashtëzakonisht paarsyeshëm, vazhdoi rrugën e diferencimit masiv mes popullit, krijoi mitin e rremë të “demonstratave armiqësore”, thirri në ndihmë ushtrinë dhe policinë serbe dhe lejoi, që, edhe një herë, të gjakosej populli i Kosovës. Mjerisht, në asnjë tubim publik, kjo klasë politike, nuk mbështeti haptas kërkesën për Republikën e Kosovës.

Atëherë kjo detyrë, që ishte edhe imperativ i kohës, u mor përsipër nga shteti shqiptar, i cili afishoi hapur se, “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejtë” (“Zëri i popullit”, 17. 05. 1981) Vijon

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ditën Botërore të Sindromës Down, kryeministri në detyrë Avdullah…