Importet më të mëdha te produktet minerale

22 mars 2022 | 14:09

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2022.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 38.0 për qind në muajin shkurt 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 349.5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 253.3 milionë euro sa ishte në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 15.7 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2022 kishte vlerën 65.2 milionë euro, ndërsa importi 414.7 milionë euro, që është një rritje prej 34.8 për qind për eksport dhe 37.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.9 për qind të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 23.7 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.9 për qind e përbëjnë produktet minerale; 5.6 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 21.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 10.9 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.9 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.0 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.5 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 19.3 milionë euro, ose rreth 29.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (8.8 për qind), Italia (5.1 për qind), Bullgaria (2.4 për qind), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 190.4 milionë euro, ose 45.9 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 27.8 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Sllovenia (12.4 për qind), Gjermania (10.8 për qind), Italia (4.0 për qind), etj.

Në muajin shkurt 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 22.0 milionë euro, ose 33.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 36.7 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (13.4 për qind), Shqipëria (8.8 për qind), Serbia (6.3 për qind), Mali i Zi (3.9 për qind).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2022 arritën në 68.0 milionë euro, ose 16.4 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 36.0 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.9 për qind), Maqedonia e Veriut (4.9 për qind) dhe Shqipëria (4.4 për qind).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 23.8 milionë euro, ose 36.6 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (23.6 për qind), dhe Zvicra (7.9 për qind).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 156.1 milionë euro, ose 37.7 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.9 për qind) dhe Kina (9.5 për qind).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar Parlamentit italian nëpërmjet…