
Importi arrin mbi pesë miliardë euro për nëntë muaj
Kosova po vazhdon të thellojë varësinë nga mallrat e importuara, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel të lartë shqetësues. Shteti ynë ka importuar mallra në vlerë mbi pesë miliardë euro, vetëm nga muaj janar deri në fund të shtatorit të këtij viti. Vlera e importit në Kosovë është rritur me rreth gjysmë miliardi euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton KosovaPress.
Krahas importit në vlerë 5 miliardë e 66 milionë euro, gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, sasia e mallrave të importuara është rritur për rreth 350 milionë kilogramë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ani se sasia e përgjithshme e mallrave për këtë periudhë mbetët më e ulët se vlera e tyre.
Sa i përket sasisë së mallrave të importuara, në këtë periudhë të vitit 2025, Kosova importoi mallra mbi 4.2 miliardë kg, 3.9 miliardë kg gjatë periudhës së njëjtë 2024, 3.7 miliardë kg në janar – shtator 2023 dhe 3.5 miliardë kg mallra në janar-shtator 2022.
Përveç kësaj, sfidë tjetër për vendin tonë është edhe ulja e nivelit të vlerës së mallrave të eksportuara. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e eksportit ka shënuar rënie me rreth 30 milionë euro gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga Dogana e Kosovës bëjnë të ditur se mbi 630 milionë euro është vlera e mallrave të eksportuara nga Kosova nga muaji janar deri në fund të shtatorit të këtij viti, krahasuar me 658 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu deficiti tregtar ka arrit mbi 4.4 miliardë euro në këtë periudhë të këtij viti, sa ka qenë mbi 3.9 miliardë në periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Ndërkaq, Gjermania, Turqia, Kina, Shqipëria dhe Italia janë ndër shtetet kryesore importuese në periudhën e parë të vitit 2025.
Rritja e vlerës së mallrave të importuara dhe rënia e vlerës së atyre të eksportuara po konsiderohen shqetësuese nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK).
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, thekson për KosovaPress, se sasia e mallrave të importuara është më e vogël se vlera e tyre, për shkak se, siç shpjegon ai, bashkë me mallrat e importuara, Kosova importon edhe inflacionin nga vendet e tjera.Krahas kësaj, Rafuna thotë se është shqetësues fakti i rënies së vlerës së eksportit në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti, thekson se kur Kosova importon produkte, ajo nuk merr vetëm sasinë e mallrave, por gjithashtu importon çmimet dhe inflacionin nga vendet e origjinës të këtyre produkteve.
Ahmeti nënvizon se ka disa produkte që vijnë në sasi më të vogla, por që kanë një vlerë shumë më të lartë për shkak të rritjes së çmimit në vendet e origjinës.
Ky faktor, sipas tij, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet që arrijnë në tregun kosovar, duke i bërë ato më të shtrenjta për konsumatorët.
Ahmeti potencon se rënia e vazhdueshme e eksporteve ka qenë gjithmonë një shqetësim, pasi që sipas tij kjo pasqyron situatën e vështirë të bizneseve vendore.
Drejtori i DhTIK-ut, Kushtrim Ahmeti thotë se bizneset në përgjithësi nuk kanë marrë mbështetje të mjaftueshme nga institucionet për t’u rritur dhe fuqizuar në treg.
Shumë prej bizneseve, sipas tij, kanë ndaluar investimet që kishin planifikuar ose janë të detyruara të shesin prodhimin e tyre jashtë vendit.
Ahmeti nënvizon se shumë kompani po transferojnë prodhimin jashtë Kosovës, pastaj të njëjtin produkt po e importojmë në vendit tonë.
Bazuar në të dhënat që kë dërguar Dogana e Kosovës për KosovaPress, vlera e mallrave të importuara gjatë nëntëmujorittë këtij viti, ka qenë mbi 845 milionë euro më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërkaq, Kosova ka regjistruar një rritje prej mbi 947 milionë euro në vlerën e mallrave të importuara gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, vlera e eksportit ka pësuar një rënie prej 16 milionë eurosh në vitin 2025, në krahasim me vitin 2022.
Sa i përket sasisë së mallrave të eksportuara, në këtë periudhë të vitit 2025, Kosova eksportoi mallra mbi 563 milionë kg, 567 milionë kg gjatë periudhës së njëjtë 2024, 670 milionë kg në janar – shtator 2023 dhe 657 milionë kg mallra në janar-shtator 2022.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, pesë vendet kryesore nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë: Turqia, Gjermania, Kina, Shqipëria dhe Greqia.
Ndërkaq, sa i përket eksporteve, shtetet kryesore në të cilat Kosova ka eksportuar mallra gjatë vitit 2024 janë : Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.