Inaugurohet “FIFA Arena” në SHFMU “Hasan Prishtina” në Prishtinë

20 dhjetor 2025 | 17:04

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me FIFA-n dhe Komunën e Prishtinës, ka inauguruar sot fushën e re të futbollit “FIFA Arena” në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytet.

Ky projekt u dedikohet nxënësve dhe fëmijëve të komunitetit, duke krijuar një hapësirë moderne për aktivitet sportiv dhe socializim.

“FIFA Arena” nuk është vetëm një fushë loje, por një ambient ku kultivohen vlera të rëndësishme edukative si respekti, bashkëpunimi, barazia dhe loja e ndershme. Për shumë nxënës, ajo mund të jetë hapi i parë drejt realizimit të ëndrrave sportive, ndërsa për të gjithë të tjerët, një vend ku krijohen kujtime, miqësi dhe vlera që zgjasin gjithë jetën.

Përfitueset e para të këtij projekti janë shkollat fillore “Hasan Prishtina” dhe “Gjergj Fishta” në kryeqytet. Në këtë mënyrë, FIFA dhe FFK po investojnë jo vetëm në sport, por edhe në të ardhmen e komunitetit.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, u shpreh se ky projekt ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e futbollit bazë në vend.

“Sot kemi kënaqësinë të promovojmë këtë fushë në shkollën fillore ‘Hasan Prishtina’, në kuadër të projektit ‘FIFA Arena’, e cila do t’u shërbejë nxënësve të shkollës dhe komunitetit. Ky projekt është realizuar me mbështetjen e plotë të FIFA-s, me iniciativën e z. Mahmadov, si dhe në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Futbolli spontan apo i rrugës, i cili ka qenë gjithmonë i popullarizuar te ne, është pjesë edhe e programit tim dhe këto fusha do të ndihmojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e talenteve. Po ashtu, në kuadër të futbollit spontan, kemi nisur edhe Ligën e Shkollave në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, të cilën synojmë ta shtrijmë edhe në qytete të tjera”, tha Ademi.

Ndërkaq, drejtori i federatave të Evropës në FIFA-s, Elkhan Mahmadov, theksoi se projekti “FIFA Arena” është një iniciativë globale e nisur nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Në gusht të vitit të kaluar në Paris presidenti Infantino e ka prezantuar këtë projekt, ndërsa implementimi i tij ka filluar këtë vit. Në mbarë globin do të ndërtohen fusha të vogla futbolli. Pas vizitës së fundit në Kosovë, presidenti Ademi i kërkoi presidentit Infantino që ky projekt të shtrihej edhe në Kosovë dhe sot jemi këtu për të inauguruar fushën në njërën nga dy shkollat më të mëdha të kryeqytetit tuaj. Po ashtu, ka përfunduar edhe fusha në shkollën ‘Gjergj Fishta’, ndërsa ndërtimi i fushave të tjera do të vazhdojë vitin e ardhshëm edhe në qytete të tjera. Qëllimi i ‘FIFA Arena’ është t’i afrojë fushat e futbollit sa më pranë fëmijëve dhe komunitetit. Jam i bindur se nga këto fusha do të dalin yjet e ardhshme të Kombëtares së Kosovës”, tha Mahmadov.

Ai gjithashtu përgëzoi Kombëtaren e Kosovës për kualifikimin në “play-off” të Kupës së Botës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës për punën e bërë gjatë vitit 2025.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, si dhe drejtoresha e SHFMU “Hasan Prishtina”, Sofie Bunjaku, falënderuan FFK-në dhe FIFA-n për realizimin e këtij projekti, duke vlerësuar se fusha do t’u shërbejë nxënësve dhe fëmijëve të komunitetit si hapësirë për argëtim, edukim sportiv dhe zhvillim të talentit të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrahman Rama, gjeneral në pension dhe aktualisht kandidat për deputet…