
Inaugurohet fusha e re e futbollit në Gjonaj, pjesë e projektit të FFK-së
Sot u inaugurua fusha e re e futbollit në Gjonaj, si pjesë e projektit të FFK-së “Çdo 45 ditë nga një fushë futbolli”, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit.
Në një atmosferë festive, me praninë e shumë banorëve, sportdashësve dhe zyrtarëve lokalë, shiritin e inaugurimit e prenë: Mirsad Çollaku, anëtar i KE të FFK-së; Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, Adem Morina, drejtor i DKRS-së, zyrtar të KF Drini i Bardhë, përfaqësues të fshatit dhe ish-ministri i sportit, Memli Krasniqi.
Në emër të FFK-së, Çollaku përcolli përshëndetjet e presidentit Agim Ademi, i cili për shkak të angazhimeve jashtë vendit nuk ishte i pranishëm. Ai theksoi se kjo fushë ishte një ëndërr e kahmotshme e hasjanëve, e cila më në fund u bë realitet.
“Sot Hasi ka një festë të madhe, sepse në 50-vjetorin e klubit Drini Bardhë, po bëhet me një fushë që gjeneratat e shkuara e kanë ëndërruar. Tani, gjeneratat e reja do të kenë kushte shumë më të mira për zhvillimin e futbollit”, tha Çollaku.
Ky investim është një hap i madh për futbollin dhe për brezat e ardhshëm në këtë trevë.