
Inaugurohet laboratori i ri pediatrik në QKUK
Në Spitalin Pediatrik “Sheika Fatima” në Prishtinë është inauguruar një laborator i ri modern, si rezultat i bashkëpunimit mes Presidencës së Kosovës dhe fondacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Khalifa Foundation”.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të presidencës bëhet e ditur se ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik.
“Falë angazhimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përkrahjes së vazhdueshme të donatorit tonë të rregullt, ‘Khalifa Foundation’, dje në Spitalin ‘Sheika Fatima’, është inauguruar laboratori i ri. I pajisur me teknologji bashkëkohore, ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e efikasitetit, cilësisë dhe qasjes së qytetarëve në shërbime më të avancuara laboratorike, me theks të veçantë tek fëmijët, të cilët janë përfituesit më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm të këtyre investimeve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të reja do të përdoret në repartin e neonatologjisë, aty ku kujdesi mjekësor është vendimtar për jetën e bebeve dhe nënave.
“Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe, në veçanti, për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.