
Incidenti i inskenuar i maturantit serb në veri që nxiti reagime të ashpra
Policia e Kosovës ka mohuar sërish të ketë përdorur dhunë gjatë një ndërhyrjeje ndaj një incidenti verbal me pjesëmarrjen e maturantëve serbë në Mitrovicën e Veriut të premten, por ka njoftuar se ka nisur një hetim të brendshëm ndaj një zyrtari policor të përfshirë në rast.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi të dielën në një konferencë për media se zyrtari në fjalë është transferuar nga stacioni policor në Mitrovicën e Veriut në atë të Mitrovicës së Jugut dhe se rasti është dorëzuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
“Kemi iniciuar një procedurë për hetim në IPK, i cili është agjencion i veçantë… Ne do të punojmë që të mos kemi lëshime dhe gabime që i japin dikujt argument ta konsiderojë Policinë e Kosovës si forcë që nuk e respekton ligjin dhe i tejkalon kompetencat,” tha Hoxha.
Ai i hodhi poshtë pretendimet se është ushtruar dhunë fizike ndaj maturantit, duke i cilësuar raportimet për një nxënës të gjakosur si propagandë.
Veprimin për dhunë sipas tij e ka mohuar edhe nxënësi në prani të babait të tij.
“Në media është shfaqur një person që pretendohet se është përdorur dhunë e tepruar nga zyrtari policor. Edhe vetë maturanti [serb], në prani të prindit të tij, ka thënë se ngjyrat në qafë ishin vizatime me marker dhe se kjo është traditë e maturantëve. Ai nuk ka shenja dhune,” shtoi ai.
Incidenti ka ngjallur reagime edhe në Serbi.
Të shtunën, në Novi Sad u mbajt një protestë në mbështetje të maturantëve serbë në Kosovë. Studentët e Universitetit të Novi Sadit thirrën qytetarët në protestë nën sloganin: “Me dinjitet, guxim, solidaritet”.
Pjesëmarrësit brohorisnin slogane si “Kosova është zemra e Serbisë” dhe mbanin pankarta me mesazhe kundër, siç thanë, represionit dhe shtypjes: “Për lirinë e fjalës, kundër represionit dhe shtypjes. Kur institucionet heshtin, studentët nuk heshtin”.
Në një zhvillim të mëtejshëm, autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrest ndaj pjesëtarit të Policisë së Kosovës të përfshirë në incidentin e 23 majit. Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.
“Polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim,” thuhet në njoftimin e ministrit Daçiq.
Megjithatë, Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë më 2008 dhe është njohur nga mbi 100 shtete.
Incidenti ndodhi gjatë një parade të maturantëve serbë në Mitrovicën e Veriut.
Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë një të ri serb duke bërë një gjest provokues (gishtin e mesëm) ndaj një kafeneje, ndërsa nga brenda saj një person shihet duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore – simbol kombëtar shqiptar.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, reagoi duke u shprehur “thellësisht i tronditur” nga incidenti dhe dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.
Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, mbrojti veprimin e policit, duke thënë se ndërhyrja ishte profesionale dhe e nevojshme për të ndalur përshkallëzimin e situatës pas provokimeve të disa maturantëve.
Sveçla publikoi një video ku maturantët dëgjohen duke kënduar këngën “Vidovdan” dhe brohorisnin “Kosova është zemra e Serbisë” pranë urës kryesore në Mitrovicën e Veriut.
Policia e Kosovës njoftoi se parada përfundoi qetësisht, por kishte ndërhyrë për të qetësuar një situatë të tensionuar shkaktuar nga provokime verbale./Telegrafi/